E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i Urgjencës në Elbasan: Pacientja refuzoi shtrimin, trajtimi u dha sipas protokolleve

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Shërbimi i Urgjencës pranë Spitalit Rajonal Elbasan sqaron opinionin publik lidhur me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku sipas institucionit paraqitet vetëm një pjesë e shkëputur e një ndërhyrjeje të ekipit të Urgjencës 127.

Në një postim në rrjetet sociale, Shërbimi i Urgjencës sqaron se “pacientja e paraqitur në video ishte me diagnozë këmbë diabetike dhe, pavarësisht rekomandimit të stafit mjekësor për hospitalizim, ka refuzuar shtrimin në spital. Në këto kushte, pas konsultimit me mjekun përgjegjës të shërbimit, pacientes i është administruar trajtimi i nevojshëm simptomatik, në përputhje me gjendjen klinike të pacientes dhe protokollet e shërbimit”.

Gjatë ndërhyrjes, personi që ka realizuar filmimin i ka kërkuar infermierit administrimin e një medikamenti qetësues pa indikacion mjekësor.

“Kërkesa është refuzuar nga stafi shëndetësor, në përputhje me rregullat profesionale dhe ligjore. Pas këtij refuzimi, infermieri është përballur me ofendime dhe sjellje fyese deri në mbërritjen e forcave të Policisë së Shtetit, të cilat u njoftuan nga vetë stafi i urgjencës”, thekson Shërbimi i Urgjencës.

Gjithashtu, Shërbimi i Urgjencës bën të ditur se “infermieri që shfaqet në video është një nga profesionistët më me përvojë të shërbimit tonë, me mbi 30 vite punë në Urgjencën e Elbasanit, i njohur për profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin e tij ndaj pacientëve”.

Shërbimi i Urgjencës i bën thirrje qytetarëve, medieve dhe opinionit publik që të vlerësojnë ngjarjen në tërësinë e saj dhe të mos gjykojnë punën e stafit shëndetësor mbi bazën e fragmenteve të shkëputura nga konteksti.

Stafi i Urgjencës së Elbasanit vijon të jetë në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi maksimale ndaj çdo rasti që kërkon ndihmë mjekësore.

Në një media online u publikua një video për mënyrën e trajtimit të një pacienteje në Shërbimin e Urgjencës në Spitalin Rajonal Elbasan. Sipas djalit të pacientes, infermieri i ambulancës i ka bërë dy injeksione pacientes, por ka refuzuar t’u tregojë familjarëve se çfarë medikamentesh po administronte.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›