E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sherri për bashkëshorten e viktimës”, zbardhet dëshmia e autorit të krimit në Babrru: Ishim shokë, qëndrova 10 ditë te shtëpia e tij

Arlind Demushi, 38 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen me thikë të shokut të tij, Hajdar Ismailgeci, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve, duke pretenduar se gjithçka nisi pas një debati për bashkëshorten e viktimës.

Sipas dëshmisë së tij, Demushi kishte qëndruar prej 10 ditësh në banesën e viktimës, në Babrru, pasi ishin miq të afërt. Por, sipas tij, raportet mes tyre u përkeqësuan dhe një ditë para ngjarjes ata kanë debatuar në telefon, ku viktima e ka akuzuar se kishte fyer bashkëshorten e tij.

Të nesërmen, ai është paraqitur në banesën e viktimës për të marrë rrobat e tij. Në hyrje të shtëpisë kanë nisur të konfliktohen fizikisht, dhe në kulmin e sherrit, Demushi ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur disa herë shokun e tij, duke i shkaktuar plagë fatale.

Pas krimit, ai është larguar me një taksi drejt Durrësit, në banesën e motrës së tij, ku dhe u arrestua. Policia i gjeti me vete një çantë me rrobat që kishte veshur gjatë momentit të ngjarjes, të cilat pritet të analizohen si provë materiale në vijim të hetimeve.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›