E Diel, 1 Nëntor 2026

Shijak, 43 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e reshjeve të fundit

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Bashkia Shijak ka përfunduar procesin e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve në banesat e përmbytura, si pasojë e reshjeve të fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, përmes një reagimi publik, ku ai thekson se strukturat përkatëse të bashkisë janë angazhuar që në momentet e para, duke iu gjendur pranë banorëve dhe duke shkuar derë më derë për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet.

Sipas të dhënave 43 banesa në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Shijak janë konstatuar dhe vlerësuar nga grupet e punës.

Ndërkohë që nesër mbledhja e këshillit bashkiak do të transmetohet drejtpërdrejt, për t’i hapur rrugë procedurave të dëmshpërblimit për qytetarët e prekur.

Kryebashkiaku Arbana tha se “të gjithë qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë dëmshpërblim sipas vlerësimeve të kryera”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të sigurojnë pronat e tyre ndaj çdo fatkeqësie natyrore, si tërmete, përmbytje apo zjarre, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së pasurive të tyre.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›