E Diel, 1 Nëntor 2026

Shirat testojnë infrastrukturën,situatë e qëndrueshme në porte, rrugë dhe energji

Reshjet e shiut të shoqëruara me temperatura të ulëta, që prej ditës së djeshme dhe gjatë natës, kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se të gjitha strukturat e varësise kanë qenë në terren, duke ndërhyrë në kohë për të normalizuar situatat problematike.

Në portet detare, operacionet vijojnë normalisht. Në Durrës, tragetet e linjës Durrës–Bari–Durrës janë ankoruar sipas orareve, ndërsa në terminalin e kontejnerëve puna po zhvillohet me vështirësi për shkak të erës që herë pas here arrin shpejtësi 10 deri 15 m/sekondë.

Në Portin e Sarandës, situata paraqitet e qetë dhe linja me Korfuzin funksionon rregullisht.

Edhe Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” operon pa vonesa apo ndërprerje.

Sa i përket energjisë elektrike, në rang vendi rezultojne 15 fidra jashtë pune, kryesisht në zonat veriore, ndërsa linjat 35 kV dhe nënstacionet nuk paraqesin probleme. Institucionet e rëndësisë së veçantë furnizohen normalisht.

Vijon të jetë e stakuar linja 400 kV Zemblak–Elbasan 2, ndërsa brigadat e OST po punojnë për riparimin.

Në akset rrugore, pastrimi nga gurët, inertet dhe shpërndarja e kripës kanë garantuar qarkullim normal. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të përdorin pajisje dimërore në zonat malore.

Situata në Kaskadën e Drinit dhe furnizimi me ujë të pijshëm paraqiten të qëndrueshme dhe pa probleme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›