Shiroka plot gjallëri në Ditën e Verës – Qytetarë dhe turistë kaluan festën mes natyrës dhe motit të ngrohtë

Shiroka është kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara nga qytetarët për të festuar Ditën e Verës.
Që në orët e para të mëngjesit, dhjetëra familje dhe të rinj i janë drejtuar kësaj zone turistike pranë liqenit të Shkodrës për të shijuar natyrën dhe atmosferën festive që sjell kjo ditë.
Temperaturat e ngrohta dhe moti i kthjellët kanë bërë që shumë qytetarë të zgjedhin Shirokën për të kaluar disa orë relaksi, duke shëtitur përgjatë bregut të liqenit apo duke u ndalur në lokalet e zonës.
“Sot kemi zgjedhur Shirokën për Ditën e Verës”, tha një qytetare.
“Është hera e parë. Kam mbërritur rreth një orë më pare me familjen time. Do ta eksploroj qytetin në vazhdim. Nuk e di ende shumë. Zona është shumë, shumë e bukur. Liqeni, malet, moti, gjithçka. Sot në këtë ditë me diell po e shijojmë shumë këtë vend”, u shpreh një turist.
Shiroka mbetet një nga pikat më të preferuara për qytetarët e Shkodrës dhe vizitorët, sidomos në ditë festash, ku ndërthuren tradita, natyra dhe atmosfera festive.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/