Shisnin armë zjarri dhe municion luftarak në Tiranë, goditet grupi kriminal, 4 persona në pranga dhe 2 në kërkim

Një operacion i koordinuar i Policisë së Tiranës ka goditur një grup kriminal të specializuar në shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak në kryeqytet. Si rezultat i këtij operacioni, katër persona janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Nga kontrolli dhe aksionet policore janë sekuestruar armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera të cilat do të shërbejnë si prova materiale në vijim të hetimeve.
Gjatë periudhës hetimore dhe aksioneve të ndërmarra në kuadër të operacionit, në total janë arrestuar 9 persona, dhe janë sekuestruar gjithsej 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.
Në kuadër të operacionit, janë ndaluar shtetasit: M. V., 35 vjeç; E. M., 25 vjeç; F. Z., 29 vjeç; dhe K. B., 32 vjeç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim: K. V., 21 vjeç; dhe B. A., 28 vjeç.
Hetimet kanë zbuluar se këta shtetas, së bashku me të arrestuarit më parë D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., vepronin të organizuar si grup kriminal. Ata dyshohet se kanë siguruar dhe shitur armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion në zona të ndryshme të Tiranës, duke rrezikuar sigurinë publike dhe rendin në kryeqytet.
Nga aksionet e fundit janë sekuestruar 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do të shërbejnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Hetimet vijojnë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rrjet dhe për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim.
“Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion, në Tiranë. Operacioni i finalizuar nga Komisariati Nr. 4, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë. Sekuestrohen 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë. Në vijim këtij hetimi, si dhe në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës, për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç. Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak. 6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit. Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/