Shisnin drogë pranë shkollave në Shijak dhe Manzë, 17 të arrestuar, një në kërkim

Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar nga strukturat e Policisë së Durrësit, duke goditur grupet që shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të frekuentuara nga të rinjtë.
Si rezultat i hetimeve disamujore, u arrestuan 17 persona, ku ndaj 13 prej tyre është caktuar masa “Arrest në burg”, ndërsa për 4 shtetase masa “Arrest në shtëpi”. Një tjetër person është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, të arrestuarit, në bashkëpunim, siguronin lëndë narkotike dhe e shitnin kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë, si dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike heroinë, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe 3 armë zjarri, konkretisht 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov. Po ashtu janë sekuestruar shuma parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, automjete dhe telefona celularë.
Të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe/ose më shumë se një herë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.
/rtsh.al/