Shiste produkte me logo false, arrestohet pronari i dyqanit në Tiranë

Një tjetër subjekt që ushtronte aktivitet tregtar në shkelje të ligjit është zbuluar nga Policia e Tiranës gjatë kontrolleve kundër informalitetit. Operacioni i koduar “Etiketa” çoi në zbulimin e një dyqani në rrugën “Sulejman Delvina”, ku shiteshin produkte me logo të dyshuara false.
Si rezultat i operacionit, u arrestua pronari i dyqanit, shtetasi H. R., 29 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit, policia konstatoi mallra të ndryshme si veshje, çanta, syze dhe ora, të pajisura me logo të markave ndërkombëtare, për të cilat nuk disponoheshin fatura blerjeje.
Sipas hetimeve paraprake, 29-vjeçari dyshohet se nuk lëshonte kuponë tatimorë për shitjen e mallrave, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Të gjitha mallrat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia:
Zbulohet një tjetër subjekt, ku shiteshin produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje.
Arrestohet pronari i dyqanit në rrugën “Sulejman Delvina”.
Sekuestrohen mallrat.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve, me qëllim konstatimin e subjekteve që zhvillojnë aktivitetin e tyre, në informalitet, duke shmangur detyrimet tatimore, finalizuan operacionin e koduar “Etiketa”, gjatë të cilit u zbulua në këtë paligjshmëri, një dyqan në rrugën “Sulejman Delvina”.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit u arrestua pronari i dyqanit, shtetasi H. R., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Në këtë subjekt, gjatë kontrolleve, u gjetën mallra të ndryshme (veshje, çanta, syze dhe ora) me logo të markave ndërkombëtare, të dyshuara false.
29-vjeçari nuk kishte fatura mbi origjinën e mallrave.
Gjithashtu, dyshohet se nuk lëshonte kuponë për shitjen e tyre, me qëllim shmangen e detyrimeve tatimore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv