E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkaktoi aksidentin ku humbën jetën tragjikisht tre shqiptarët në Greqi, lihet në burg shoferi bullgar

Drejtuesi i kamionit që shkaktoi aksidentin tragjik ku humbën jetën tre shqiptarë pak ditë më parë në pikën e pagesës Iasmos në Greqi, ëhstë arrestuar nga policia.

Sipas mediave greke 56-vjeçari bullgar është lënë në paraburgim, pasi ka dhënë dëshminë e tij.

Mediat raportojnë se aps daljes nga spitali 56-vjeçari bullgar i cili edhe vete mbeti i plagosur në aksident, është paraqittur sot para autoriteteve ku pasi ka dhënë dëshminë, është lënë në paraburgim.

Kujtojmë që drejtuesi i kamionit akuzohet për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore dhe drejtim të rrezikshëm të mjetit.

Aksidenti ndodhi rreth 600 metra para pikës së pagesës, kur kamioni u përplas me dy automjete që ndodheshin të ndaluara në radhë. Përplasja ishte aq e fortë sa automjeti i parë shpërtheu në flakë, duke lënë të vdekur në vend tre persona, një çift 59 dhe 57 vjeç dhe një tjetër viktimë 61-vjeçare, të gjithë nga Shqipëria.

Rezultatet e analizave toksikologjike pritet të publikohen në ditët në vijim për të zbuluar nëse drejtuesi i kamionit kishte konsumuar alkool. Ndërkohë, është caktuar edhe një ekspert teknik për të përcaktuar saktësisht shpejtësinë me të cilën lëvizte mjeti në momentin e përplasjes.

Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga autopsia e kryer mbi trupat e viktimave.

Sipas mjekut ligjor Nikolaos Kifnidis, tre viktimat ishin ende gjallë kur shpërtheu zjarri në automjet, por kishin humbur ndjenjat për shkak të plagëve të rënda nga përplasja.

Trupat e tyre paraqitën dëmtime të rënda në kokë, kraharor dhe bark, me fraktura në brinjë dhe dëmtime të organeve të brendshme. Ndër të tjera, edhe drejtuesi i automjetit rezultoi me një frakturë në bazën e kafkës.

Shkaku i vdekjes nuk ishte përplasja, por djegia nga flakët, ndërkohë që besohet se viktimat ishin pa ndjenja në momentin e shpërthimit të zjarrit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›