Shkarkimi i Veliajt, Kaziaj: E pritshme sjellja e këshilltarëve socialistë! Karanxha: Bashkia e Tiranës nuk mund të jetë më zëvendës të deleguar

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka votuar sot shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut. 50 këshilltarë votuan pro, nga 51 që ishin prezentë.
Avokati Altin Kaziaj tha se e priste këtë sjellje nga këshilltarët socialistë. I ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, avokati deklaroi se projekvendimi për propozimin dhe shkarkimin e Veliajt duhet të rishikohet.
Ndërkohë, avokati Ervin Karanxha nënvizoi se Erion Veliajt duhet t’i ishte dhënë mundësia për të qenë prezent dhe për t’u dëgjuar.
Pjesë nga biseda
Borakaj: E prisje këtë sjellje nga këshilltarët socialistë?
Kaziaj: E prisja, se kur flet Surreli këshilltarët binden njëzëri. E prisja këtë sjellje. Si avokat dhe jurist, projektvendimi për propozimin dhe shkarkimin e Veliajt është për t’u riparë, për shkak se mungesa për 3 muaj e kryebashkiakut është bërë në këndvështrimin e ish-administratorëve në vetvete, që rrinin, pinin kafe, raki dhe nuk shkonin në punë për 3 muaj. Këtu jemi përpara një fakti të pamundësisë për të qenë në detyrë.
Karanxha: Propozimi është bërë nga opozita edhe më parë. Kjo duhet të ishte bërë që atëherë. Bashkia më e madhe, bashkia e Tiranës, nuk mund të jetë më zëvendës të deleguar. Duhet të ishte i qartë dhe Veliaj, do të vish apo s’do të vish. Për mua do ishte mirë që të ishte dëgjuar. Kur një person e kërkon, është e drejtë bazike.