Shkarkohet nga detyra prokurori i arrestuar i Vlorës

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e arrestuar të Vlorës, Aurel Zarka.
Në mbledhjen e sotme, KPA vendosi: “Ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra tw subjektit të rivlerësimit Aurel Zarka”.
Njoftim vendimi
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) 42/2024, datë 28.10.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 779, datë 28.06.2024, për subjektin e rivlerësimit Aurel Zarka.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28.06.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra tw subjektit të rivlerësimit Aurel Zarka.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, më datë 05.03.2026, në Tiranë”.
Zarka dhe persona të tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në disa dosje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme, çështje që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.
Një prej çështjeve penale e njohur si “Toyota Auris”, u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.
Arrestimi i tij u bë në korrik 2024.