E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkeli perimetrin e sigurisë me mjet lundrues, ndëshkohet me 500 mijë lekë drejtuesi në Ksamil

TIRANË, 13 gusht /ATSH/ Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë me intensitet kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit në sektorin detar të Ksamilit, në vendin e quajtur “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën e përcaktuar për pushuesit.

Policia e Shtetit informon se në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh.

Policia e Shtetit u bën apel përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë veprimtari me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit.

Kontrollet dhe patrullimet nga strukturat e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë përgjatë vijës bregdetare, në funksion të garantimit të sigurisë gjatë sezonit turistik.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›