Shkeli vendimin kolegjial të PS, Spiropali bën “të fortën” në Facebook

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj sot pyetjes lidhur me marrjen e mundshme të një mase për mungesën e Elisa Spiropalit në seancën për votimin e imunitetit të Belinda Ballukut.
“Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar. Që kështu do ta pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, tha Balla.
Kjo përgjigje e kreut të Grupit Parlamentar të PS ka sjellë edhe reagimin e deputetes Elisa Spiropali.
Ish ministrja e jashtme shkruan ndër të tjera se, vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS, gjë që u shkel pikërisht nga vetë ajo duke bojkotuar seancën plenare të 12 marsit. Një akt demostrativ, i cili nuk do të tolerohej nga asnjë forcë politike.
Reagimi i plotë:
“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.
Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.
Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.
Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.
Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut”.
Kujtojmë se, në seancën parlamentare të 12 marsit, mazhoranca refuzoi kërkesën e SPAK ndaj Kuvendit për për ish zv/kryeministren Belinda Ballukun, seancë në të cilën Spiropali refuzoi të merrte pjesë.
Pak ditë më parë, Asambleja e PS rikonfirmoi Ballukun si drejtuese politike të qarkut Fier, ndërsa Spiropalit iu besua njësia 13 në Tiranë.
Qarku i Fierit u konfirmua si fituesi i madh i zgjedhjeve të 11 maj 2025, duke i dhënë një mbështetje të fortë Partia Socialiste e Shqipërisë. Një rezultat që, sipas analizës së bërë në Asamblenë e PS, nuk është rastësi, por produkt i një pune të strukturuar dhe të vazhdueshme në terren.
Në anën tjetër, analiza e bërë në Asamble nuk la pa përmendur edhe zonat problematike. Kavaja u evidentua si një nga rastet më të qarta të një rezultati zhgënjyes. Aty ku pritej më shumë, rezultati tregoi të kundërtën. Në mënyrë ironike, ajo që u prezantua si një përballje e fortë politike, përfundoi në një dështim të plotë për drejtimin e lidhur me Elisa Spiropali në këtë zonë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën si u zhvillua fushata dhe sa reale ishte lidhja me qytetarët.