Shkelje e barazisë në tendera, korrupsion e pastrim parash/ SPAK jep pretencën për ish-drejtuesit e ARRSH-së, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli

SPAK ka dhënë sot pretencën përfundimtare për një nga dosjet që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera dhe ankande publike, të kryera në bashkëpunim në disa procedura prokurimi. Çështja po shqyrtohet me gjykim të shkurtuar.
Për ish-drejtorin e Autoriteti Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 10 vite burg, për akuzat: shkelje e barazisë në tendera (5 episode), korrupsion pasiv (6 episode), pastrim parash (1 episod).
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse gjykata shpall fajësinw, dënimi i kërkuar ulet me një të tretën, duke zbritur në rreth 6 vite e 8 muaj burg.
Për Gentian Gjylin, po ashtu ish-drejtor në ARRSH, SPAK kërkon 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera (2 episode), si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Ndërkohë, për Erald Elezin, ish-drejtor i KESH, është kërkuar dënimi me 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera, i cili ulet me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe ndalimi për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Prokurori i SPAK, Dritan Prenci, lexoi gjithashtu konkluzionet përfundimtare edhe për 20 të pandehur të tjerë në këtë dosje.
SPAK ka kërkuar gjithashtu konfiskimin e shumave të parave të sekuestruara në banesën e Evis Berberi.
/rtsh.al/