Shkodër/ Tentoi të vetëvritej me armë zjarri, procedohet penalisht 30-vjeçari

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër ka njoftuar se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. L., 30 vjeç, i cili dyshohet se është vetëplagosur me armë zjarri, një ditë më parë.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një pushkë pneumatike sportive, 12 kapsolla detonatorë, municion luftarak, si dhe një armë zjarri automatike me të cilën dyshohet se tentoi të vetëvritej.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
I riu ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmën mjekësore dhe raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.
/vizionplus.tv