Shkodër, në rrethina do të ndërhyhet në infrastrukturë dhe argjinatura

Bashkia e Shkodrës po vijon investimet në çdo njësi administrative për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe cilësinë e jetës së banorëve.
Në njësinë Administrative Rrethina kanë përfunduar disa investime në infrastrukturë, ndërsa të tjera janë parashikuar të nisin që përfshijnë infrastrukturën rrugore, ndërtim të një argjinature si dhe pastrim të përrenjve në zonën e Bardhajve.
“Presim edhe shtrimin e disa rrugëve të tjera, po ashtu presim edhe zgjidhjen e problemit e përroit në zonën e Bardhajve që ka shkaktuar përmbytje. Do të punohet së shpejti për rikthimin në normalitet të asaj zone” tha Hasaj.
Një vëmendje e veçantë sipas administratorit të kësaj njësie, Gerald Hasaj do t’i kushtohet edhe menaxhimit të mbetjeve, ku nga 9 hotspote të evidentuara si pika të zeza janë pastruar 7 të tilla, ndërsa po punohet edhe për pastrimin e zonave të tjera.
“Kemi pasur rreth 9 pika të nxehta. Në këto momente janë dy në aksion që po kryejnë pastrimin. Mbetjet në vend qëndrimin nuk kemi probleme pasi bëhet pastrimi sipas grafikut”, shtoi ai.
Investimet pritet të shtrihen në fshatrat e kësaj njësie, ku do të ndërhyhet edhe në rrugët e brendshme për të siguruar kushte më të mira për komunitetin.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/