Shmanget rreziku në Durrës, mbyllet argjinatura e lumit Drojë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, njoftoi pasditen e sotme se ka përfunduar me sukses mbyllja e argjinaturës së lumit Drojë, një nga pikat më kritike të kësaj situate emergjente.
Sipas ministrit Salla, operacioni u realizua nga ekipet e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Durrës. Për shkak të terrenit të vështirësuar nga reshjet, u desh ndërhyrja e specializuar me dy ekskavatorë krahëgjatë, të cilët punuan pa ndërprerje për të bllokuar çarjen e argjinaturës.
“Falë ndërhyrjes në kohë dhe angazhimit maksimal, u shmangën rreziqe të mëtejshme për përmbytje, duke garantuar mbrojtjen e tokave bujqësore dhe të banesave në zonë,” deklaroi Salla.
Ministria bën me dije se pavarësisht mbylljes së argjinaturës, strukturat mbeten në terren për të monitoruar qëndrueshmërinë e infrastrukturës mbrojtëse në koordinim me emergjencat civile.
/rtsh.al/