E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëborë në Veri dhe rrëshqitje në Jug, ja harta e rrugëve problematike

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) ka bërë bilancin e situatës në vend pas reshjeve intensive të 24 orëve të fundit. Sipas njoftimit zyrtar, grupet e punës kanë qenë në terren përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme për të garantuar funksionimin e akseve nacionale dhe furnizimin me energji.

Gjendja e rrugëve, dëborë dhe rrëshqitje

Ndërsa qarkullimi cilësohet “përgjithësisht normal”, harta e problemeve mbetet e larmishme, e ndarë mes dëborës në veri/juglindje dhe rrëshqitjeve të dherave në jug.

Zonat me dëborë

Raportohen reshje në Tropojë, Kukës, Dibër, Korçë, Shkodër dhe Pukë. Sipas njoftimit zyrtar të MIE, “kontraktorët po punojnë me borëpastruese dhe shpërndarjen e kripës për të mbajtur rrugët hapur“.

Akset me probleme (rrëshqitje/gurë):

Qafë Dushk – Sevaster, qarkullimi kryhet vetëm me një korsi (km 10-11) për shkak të dherave.

Berat – Çorovodë (Bogovë), rënie gurësh dhe shembje e murit pritës.

Përmet – Çarshovë (Petran), e hapur me një korsi pas ndërhyrjes provizore.

Valare – Erind – Çajup, rrëshqitje aktive në km 7+600.

Korçë – Dardhë, rrëshqitje anësore në km 9, situata po monitorohet rreptësisht.

Energjia dhe kaskada e Drinit

MIE bën të ditur se furnizimi me energji elektrike paraqitet i stabilizuar, me linjat e transmetimit 400 kV, 220 kV dhe 110 kV në operim të plotë. Problematika mbetet e izoluar në zonat e thella malore (11 fidera jashtë pune), ku dëbora vështirëson transportin e bazës materiale për riparime.

Lidhur me situatën hidrike, nivelet në Kaskadën e Drinit janë nën kontroll të plotë:

HEC Fierzë: 1400 m³/s prurje.

HEC Koman: 500 m³/s prurje.

HEC Vau i Dejës: 60 m³/s prurje.

Ujësjellësi dhe portet

Lajm i mirë vjen për banorët e Fierit, pasi është vënë në punë stacioni i pompimit në Kafaraj, duke rikthyer furnizimin për qytetin. Në Vlorë situata është përmirësuar, ndonëse në fshatin Trevllazër furnizimi bëhet me orare për shkaqe sigurie të pompave.

Të gjitha nyjet strategjike të transportit, Porti i Durrësit, Vlorës, Sarandës dhe Aeroporti “Nënë Tereza”, vijojnë aktivitetin pa asnjë ndërprerje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›