E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferët e kamionëve malazezë i japin fund bllokadave në pikat kufitare drejt Zonës Shengen

Shoferët e kamionëve nga Mali i Zi kanë vendosur t’i japin fund bllokadave të pikave kufitare të mallrave drejt Zonës Shengen, pas takimit të zhvilluar sot me përfaqësuesit e Qeverisë. Përfaqësuesit e Shoqatës së Operatorëve të Transportit deklaruan se janë përcaktuar zgjidhje për një numër të konsiderueshëm problemesh dhe se ka nisur tërheqja e kamionëve nga pikat kufitare.

Sipas shoqatës, marrëveshja përfshin rimbursimin e TVSH-së brenda afatit të përcaktuar me ligj, si dhe garantimin që periudha e tranzitit të importeve të mallrave nga Mali i Zi të jetë 72 orë.

Ndërkohë, Komisioni Evropian prezantoi sot një strategji të re për politikën e azilit dhe migracionit, e cila synon të adresojë edhe vështirësitë me të cilat përballen shoferët profesionistë të kamionëve nga Ballkani Perëndimor.

Si pjesë e kësaj strategjie, e prezantuar në Bruksel, shoferët e kamionëve nuk do të përjashtohen nga regjimi aktual i vizave, i cili parashikon qëndrim deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore në Bashkimin Evropian. Megjithatë, Komisioni Evropian e ka njohur këtë çështje si problem serioz dhe ka propozuar një regjim të veçantë, që parasheh një qëndrim të zgjatur afatshkurtër për këta profesionistë. Sipas propozimit, ditët e kaluara në Zonën Shengen nuk do të llogariten më në mënyrë strikte për shoferët profesionistë të kamionëve.

Bllokadat në terminalet kufitare të mallrave drejt Zonës Shengen nisën më 26 janar nga shoferët e kamionëve nga Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në shenjë proteste kundër sistemit të ri evropian të hyrje-daljeve (EES), i cili po zbatohet gradualisht që nga tetori i vitit 2025.

Shoqatat e transportit nga këto katër vende kanë paralajmëruar se sistemi EES kërcënon aftësinë e tyre për të punuar, pasi kufizimi i qëndrimit në 90 ditë brenda 180 ditëve nuk është i mjaftueshëm për shoferët profesionistë të kamionëve nga vendet joanëtare të BE-së. Në këtë kuadër, ata i kanë kërkuar Bashkimit Evropian që shoferëve të kamionëve t’u njihet statusi i punëtorëve ndërkufitarë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›