E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoferët “e mirë” po paguajnë më pak/ AMF: Skema bonus-malus ka ulur primin mesatar të sigurimit

Ndikimi i skemës së re të sigurimit të makinave bonus-malus, e cila nisi të zbatohej vitin e kaluar, ka filluar të ndihet prej të gjithë aktorëve të tregut, qytetarët dhe kompanitë e sigurimit.

Sipas skemës së re, çmimi i siguracionit do të përcaktohej mbi bazën e 7 faktorëve të riskut, historikut të aksidenteve, fuqisë motorike, moshës së shoferit, eksperiencës në drejtimin e makinës, vjetërsisë dhe qarkut të regjistrimit të mjetit, si dhe nëse makina është në pronësi të një individi apo biznesi.

Të gjitha aksidentet e shkaktuara nga shoferët para vitit 2025, nuk do të merren për bazë në përllogaritjen e primit, por vetëm aksidentet e shkaktuara nga 2025 e në vijim.

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se pavarësisht që primet nga sigurimi i detyrueshëm i makinave me MTPL të brendshme janë rritur me 7%, primi mesatar është ulur me 2.5%.

Sipas AMF, kjo ulje vlerësohet të jetë kryesisht rezultat i fillimit të zbatimit të faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”.

Rënia e primit mesatar nënkupton se bonus-malusi i skemës së re të sigurimit të makinave ka filluar të shfaqet, shoferët “e mirë”, pra ata që nuk kanë shkaktuar aksidente në 2025 po “shpërblehen” duke paguar më pak, ndërsa shoferët “e këqinj”, pra ata që kanë kryer aksidente gjatë vitit të kaluar po “ndëshkohen” duke paguar më shumë.

Çfarë është sistemi “bonus-malus”?

Nga 1 janari 2026, nisi aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimet e detyrueshme motorike.

Sistemi bonus-malus parashikon që drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në vitin pasardhës, ndërsa ata që nuk shkaktojnë dëme, një prim më të ulët.

Për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm të vetëm do të llogaritet një koeficient 1.18 mbi primin bazë, ndërsa për ata që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme do të aplikohet një koeficient 1.39. E thënë ndryshe, drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar një dëm vitin e kaluar do të penalizohen me një malus në masën 18%, ndërsa ata që kanë shkaktuar dy dëme ose më shumë, do të penalizohen me një malus në masën 39%.

FAKTORËT E RISKUT

Fuqia motorike                        Mjetet me fuqi më të vogël tarifohen më pak

Mosha e të siguruarit                   18 – 21 vjeç tarifohen më tepër

Eksperienca në drejtimin            deri 2 vjet, tarifohet më tepër

Pronësia i mjetit                                    subjekt/individ

Qarku i regjistrimit                    Berat, Dibër dhe Kukës tarifohen më pak

Vjetërsia e mjetit                     Mjetet e reja tarifohen më pak se të vjetrat

Historiku i dëmeve                        Pa dëme bonus, me dëme malus

LEXO EDHE: MINIKASKO në SIGAL: mbulim financiar edhe nëse je shkaktari i dëmit

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›