E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla në baxhon që eskporton në SHBA: “Dyfisho sipërmarrjen”, instrument për zgjerimin e agrobiznesit


TIRANË, 17 prill/ATSH/ Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të përpunimit të qumështit dhe mbështetja për sipërmarrjet vendase mbeten një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare në sektorin e bujqësisë, duke nxitur rritjen e prodhimit cilësor dhe zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një vizitë në baxhon e Çeti Dervishit në Çermë të Poshtme, në zonën e Divjakës, ku përpunohet qumështi i grumbulluar nga rreth 125 fermerë të zonës në nënprodukte cilësore “Made in Albania”.

Produktet tregtohen në tregun vendas dhe eksportohen edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dëshmuar potencialin konkurrues të produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Sipërmarrja e Dervishit e ka nisur aktivitetin në vitin 1992, si grumbullues qumështi, ndërsa në vitin 2002 ka kaluar në fazën e përpunimit dhe zgjerimit të gamës së produkteve. Pas vitit 2019, biznesi familjar është konsoliduar më tej me përfshirjen e djalit të tij, i diplomuar në Bioteknologji Ushqimore.

Në fabrikën e ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, kryhen të gjitha analizat e nevojshme për lëndën e parë përpara përpunimit, duke garantuar cilësi të lartë dhe siguri ushqimore.

Aktualisht, aktiviteti angazhon rreth 28 punonjës dhe përbën një model të qëndrueshëm zhvillimi për zonën.

Gjatë vizitës, ministri Salla e ftoi sipërmarrësin të zgjerojë më tej aktivitetin përmes instrumenteve mbështetëse si garancia sovrane dhe nisma “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe forcimin e pranisë në treg.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›