E Premte, 6 Nëntor 2026

Shoqëritë e transportit publik qytetas e ndërqytetas, 50 lekë kompensim për litër karburant - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Shoqëritë që kryejnë transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës do të përfitojnë kompensim në masën 50 lekë për çdo litër karburant të konsumuar gjatë periudhës qershor-tetor 2026.

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin që përcakton procedurat, dokumentacionin dhe masën e kompensimit për shoqëritë e transportit, në kushtet e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.

Sipas vendimit, kompensimi do të llogaritet mbi sasinë e karburantit të konsumuar gjatë pesë muajve, por jo më shumë se 110% e sasisë mesatare mujore të karburantit të përdorur nga secila shoqëri gjatë periudhës mars-maj 2026.

Për këtë qëllim, subjektet duhet të paraqesin vetëm një kërkesë për kompensim, pas përfundimit të periudhës përkatëse, pranë administratës tatimore ku janë të regjistruara.

Dokumentacioni që duhet të dorëzohet përfshin kërkesën sipas formularit të përcaktuar në vendim, kopjen e licencës së vlefshme për transportin, të dhënat identifikuese të subjektit, emrin e bankës dhe IBAN-in e llogarisë bankare në lekë.

Në vendim, theksohet se kërkesat do të paraqiten pas datës 10 të muajit pasardhës, duke filluar nga nëntori 2026. Në rast se dokumentacioni është i paplotë ose ka mangësi, administrata tatimore duhet t’ia kthejë subjektit kërkesën brenda pesë ditëve pune, për plotësimin e dokumenteve.

Për shoqëritë që nuk kanë ushtruar aktivitet gjatë gjithë periudhës mars-maj 2026, si bazë referimi për kompensimin do të merret konsumi mesatar mujor i karburantit gjatë muajve të plotë kur kanë ushtruar aktivitet. Përllogaritja do të mbështetet në dokumentacionin provues të paraqitur nga subjektet dhe të verifikuar nga administrata tatimore.

Kërkesat për përfitimin e kompensimit do të pranohen deri më 16 nëntor 2026.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/e.i/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›