E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallen fituesit e Konkursit Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve” dhe “Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore”

Pas prezantimit të pesë studiove pjesëmarrëse në Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve & Kompleksin e Ri të Inspektorateve Shtetërore”, juria shpalli fituesit për secilin projekt.

Për projektin e Kompleksit të Ri të Inspektorateve Shtetërore, fitues u shpall ekipi arkitekturor Rojkind Arquitectos S.C, në bashkëpunim me Son Engineering & Construction, Asab Sh.P.K, Motus dhe Julian Kasharaj.

Ndërkohë, për projektin e Shtëpisë së Re të Fëmijëve, juria përzgjodhi ekipin arkitekturor të përbërë nga Taller Héctor Barroso, Studio B&L L.L.C, Progeen L.L.C, Doriana Bleta, Agim Seranaj dhe Ardian Paci.

Në renditjen përfundimtare të konkursit, vendi i parë iu akordua Rojkind Arquitectos S.C, ndërsa vendi i dytë ekipit Taller Héctor Barroso.

Juria rekomandoi që ekipi fitues i vendit të parë të bashkëpunojë me ekipin e renditur në vendin e dytë për zhvillimin e projektit të kampusit të Shtëpisë së Fëmijëve.

Para prezantimit të projekteve kryeministri Edi Rama theksoi se projektet për Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore janë pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës publike nëpërmjet partneritetit publik-privat. Ai u shpreh se këto projekte synojnë të krijojnë kushte moderne dhe dinjitoze, veçanërisht për fëmijët në nevojë, si dhe hapësira funksionale për administratën shtetërore.

Rama nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po shërben si një “universitet i hapur” për arkitektët e rinj, duke u ofruar mundësi bashkëpunimi dhe përfitimi eksperience nga studio të mëdha ndërkombëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›