Situata emergjente-Ukraina merr dërgesën e parë të pajisjeve energjetike nga Gjermania

Ukraina ka marrë dërgesën e parë të pajisjeve energjetike nga qeveria gjermane, pjesë e paketës së zgjeruar të ndihmës emergjente dimërore me vlerë 120 milionë euro.
Kryeministrja Yulia Svyrydenko e bëri të ditur këtë të enjte, teksa ndihma vjen ndërsa Rusia vazhdon sulmet e përditshme ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase – centralet elektrike dhe sistemet e ngrohjes të cilat janë në objektivet ruse për të lënë qytetet pa dritë dhe nxehtësi në mes të dimrit.
Në këtë dërgesë të parë kanë ardhur dy njësi kogjenerimi, gjeneratorë dhe pajisje të tjera kritike.
Sipas Svyrydenkos, këto sisteme janë vënë menjëherë në punë dhe tashmë po furnizojnë me energji dhe ngrohje mbi 86 mijë banorë në Kiev – shtëpi, spitale, kopshte dhe shkolla përfshirë. Dërgesa u prit bashkë me ambasadorin gjerman Heiko Thoms.
Së shpejti priten edhe dërgesa të tjera: 41 njësi kogjenerimi me kapacitet total 40.8 MW, 76 kaldaja modulare, 300 stacione solare, 375 sisteme magazinimi baterish, 15 gjeneratorë hibridë mobilë, 10 sisteme ngrohjeje me pelet dhe 45 makineri ndërtimi për riparime urgjente.
Gjermania ka shtuar edhe 60 milionë euro ndihmë humanitare për këtë dimër dhe 167 milionë euro të transferuara në Fondin e Mbështetjes Energjetike të Ukrainës që në dhjetor.
Sistemi energjetik i Ukrainës është nën presion të madh që nga fundi i vitit 2024 – sulmet ruse kanë ulur ndjeshëm kapacitetin e gjenerimit, kanë shkaktuar ndërprerje dhe kanë detyruar autoritetet të mbështeten te riparimet emergjente dhe burimet rezervë për të mbajtur dritat dhe ngrohjen në qytetet kryesore dhe zonat e frontit.
/rtsh.al/