Shpallet fituesi Milot-Balldren! Karakaçi jep lajmin, gati të nisë puna për një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në vend

Është shpallur fituesi i garës për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldren, duke çuar drejt fazës së zbatimit një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi në një komunikim publik.
Fondi limit i këtij koncesioni që do të ketë afat 35 vjeçar ishte 364.7 milionë euro pa TVSH, ndërsa fituese është shpallur kompania “Salillari”, dhe ndërtimi i rrugës pritet të ndikojë direkt në uljen e trafiku.
Aksi Milot–Balldren ka një gjatësi prej rreth 17 kilometrash dhe do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, duke zëvendësuar segmentin aktual të kategorisë C. Projekti nis në nyjen e Milotit, ku lidhet me aksin Thumanë–Kashar–Lekaj dhe Rrugën e Kombit, ndërsa përfundon në Balldren, në lidhje me aksin Tiranë–Shkodër.
Segmenti konsiderohet një hallkë strategjike e Korridorit Adriatiko–Jonian dhe pjesë e zgjerimit të rrjetit europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor.
Kjo autostradë do të jetë me pagesë për qytetarët njëjtë si Thumanë-Kashar, ndaj do të shoqërohet edhe me rrugë alternative pa pagesë kategoria “C”.
Rruga do të ndërtohet plotësisht me fondet e privatit, ndërsa fitimi i kompanisë do të jetë nga tarifat e kalimit, pasi rruga të hapet për qarkullim.
Fjala e plotë:
Kam kënaqësinë t’ju informoj që ditën e sotme kemi shpallur fituesin e rrugës Milot-Balldren. Ky është një aks mjaft i rëndësishëm, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe që shërben për ndërlidhjen e veriut të Shqipërisë me pjesët e tjera të Shqipërisë.
Kjo është një rrugë e shumëpritur nga banorët e qarkut Shkodër dhe Lezhë dhe që kryen lehtësimin e trafikut në këto zona. Procedura ka qenë jo e lehtë, pasi ka pasur disa tentativa të mëparshme, të cilat kanë rezultuar jo të suksesshme. Megjithatë, me përkushtim dhe profesionalizëm, ia kemi dalë që ditën e sotme të kemi shpalljen e fituesit, e cila bën përfundimisht të mundur ndërtimin e kësaj vepre.
Personalisht do angazhohem që fillimi i ndërtimit të kësaj rruge të kryhet sa më shpejt dhe të ndërtohet brenda afatit të përcaktuar në kontratë. Ndërtimi i kësaj rruge shkon natyrshëm me investimet që ka kryer dhe po planifikon të kryejë Qeveria Shqiptare në veriun e Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, ne prezantuam nismën ‘Porta e Alpeve’, që është një nismë financimi 100 milionë euro, e dedikuar për veriun e Shqipërisë dhe që e kthen këtë rajon në motor zhvillimi ekonomik dhe turistik të vendit.
Dhe me këtë lajm të mirë, dua t’ju uroj të gjithëve fundjavë të qetë dhe të mbarë.