Shpërthen Jasir Asani, gol vendimtar në fund dhe fitore dramatike për Esteghlalin

Jasir Asani po kalon një periudhë fantastike në futbollin aziatik dhe këtë e ka konfirmuar edhe një herë me një gol vendimtar në Champions League.
Sulmuesi shqiptar i ka dhuruar fitoren 1-0 Esteghlalit në përballjen ndaj Al Shamal, duke gjetur rrugën drejt rrjetës në minutën 90+1. Pas një aksioni të ndërtuar në zonën kundërshtare, Asani përfitoi nga pasimi i shokut të skuadrës, Mohammadhossein Eslami, dhe dërgoi topin në rrjetë, duke shpërthyer festën te skuadra iraniane.
Ky ishte një sukses mjaft i rëndësishëm për Esteghlalin, që pas katër ndeshjeve në fazën e ligës së Champions League-s aziatike ka grumbulluar 9 pikë dhe renditet në vendin e tretë.
Asani ishte protagonist absolut i takimit, duke u vlerësuar edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes. Forma e tij është mbresëlënëse, teksa sipas statistikave të sezonit të paraqitura, sulmuesi kuqezi ka regjistruar 7 gola dhe 2 asistime.
Me këtë paraqitje, 31-vjeçari konfirmon edhe një herë rëndësinë e tij në skuadrën iraniane, ndërsa vazhdon të jetë një nga futbollistët shqiptarë më në formë në arenën ndërkombëtare.