E Premte, 6 Nëntor 2026

Shpërthimi i fuqishëm në një pallat në Elbasan, gjendet nën rrënoja viktima e dytë pas disa orë kërkimesh

ELBASAN - Hamit Ibro, 69 vjeç është viktima e dytë e shpërthimit të fuqishëm në një pallat pesë katësh në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan.

Trupi i pajetë i 69-vjeçarit u gjet nën rrënojat e godinës. Ai rezultonte i zhdukur që prej momentit të shpërthimit, ndërsa ekipet e emergjencës vijuan për orë të tëra kërkimet për gjetjen e tij nën rrënojat e pallatit.

Ngjarja e rëndë u shënua mesditën e së mërkurës, ku rreth orës 14:00, apartamenti i 69-vjeçarit u përfshi nga flakët - paraprakisht dyshohet si pasojë e bombolës së gazit.

Flakët u përhapën edhe në pjesë të tjera të kateve dhe kjo bëri që fëmijë, të rritur dhe të moshuar të evakuoheshin menjëherë, përveç një 83-vjeçareje që nuk arriti dot të dilte nga godina e cila u përpi nga zjarri.

lajm ne perditesim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 07:53

Dëmtime në pallatin në Elbasan, Llatja: Evakuohen të gjitha familjet, një pjesë e godinës shpallet e pabanueshme

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja ka dhënë detaje mbi situatën në pallatin e përfshirë nga zjarri dhe shpërthimi në Elbasan ku një pjesë e godinës pësoi dëmtime të rënda strukturore. Ai bëri me dije se zjarri është shuar, ku theksoi se të gjitha familjet janë evakuuar.

Llatja informoi gjithashtu se një pjesë e banorëve janë strehuar te të afërmit dhe të tjerët në konviktet e studentëve në Elbasan.

Për vlerësimin e dëmeve dhe sigurinë e godinës pritet edhe ndërhyrja e specialistëve të Institutit të Ndërtimit.

“Zjarri është fikur, ndërsa kërkimet vijojnë nga strukturat e Emergjencave Civile dhe grupet e kërkim-shpëtimit. Aktualisht, të gjitha familjet janë evakuuar dhe nuk ka asnjë familje në pallat. Pjesa më e madhe e banorëve janë strehuar te të afërmit, ndërsa pjesa tjetër në konviktet e studentëve në Elbasan.

Pritet që në terren të mbërrijnë edhe strukturat e Institutit të Ndërtimit për të verifikuar gjendjen e strukturës së pallatit në tërësi. Sipas vlerësimeve paraprake të inxhinierëve, njëri prej sektorëve është bërë i pabanueshëm, por problematika strukturore janë konstatuar edhe në pjesën tjetër të pallatit.”- u shpreh Llatja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›