E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi me tritol në lokalin në Durrës, babai i Noizyt në GJKKO: S’kemi konflikte. Clevio kishte xhelozi pune me djalin tim

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është paraqitur këtë të mërkurë Bashkim Rajku, babai i këngëtarit të njohur shqiptar Noizy, i cili ka dhënë dëshminë e tij lidhur me një ngjarje të ndodhur disa vite më parë në një lokal në pronësi të familjes së tij në Durrës, ku dyshohet se është vendosur lëndë eksplozive.

Rajku është thirrur si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu, i cili po hetohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, atentate, grabitje me armë dhe shpërthime me eksploziv.

Gjatë dëshmisë së tij, Bashkim Rajku ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur rreth vitit 2022, kur një shpërthim ka dëmtuar lokalin e familjes, të ndodhur në katin e parë të një pallati në lagjen 13 të Durrësit. Sipas tij, ai ndodhej në banesë në momentin e shpërthimit dhe ka zbritur menjëherë pas dëgjimit të zhurmës së fortë.

“Në Durrës kemi patur një dyqan rrobash, në lagjen 13. Unë e kam lokal me qira, investim i joni është. Unë jam pronar i biznesit, vajza është administratore. Përpara 4 vitesh në 2022, ndodhi një ngjarje, shpërtheu diçka te lokali dhe e gjetëm të shkatërruar. Unë kam qenë në banesë duke fjetur në katin e 5 të të njëjtit objekt, zhurmën e dëgjova. Ecurinë e aktivitetit e ndiqte administratorja, vajza ime Anisa. Në atë periudhë ajo ka qenë jashtë shteti. Përveç Anisës, kam djalin Rigelsin është muzikant. Djali ka qenë në gjumë , nuk ka parë gjë. Lokali ka qenë i mbyllur , i tillë ka qenë orari. Djali jeton vetëm, e ka shtëpinë afër nesh dy kate poshtë nesh. Kur dëgjova zhurmën zbrita poshtë. Djalin e pashë mbrapa pasi u mblodhën të gjithë njerëzit. Ne dëgjuam zhurmën dhe zbritëm poshtë. Në atë moment nuk e kisha mendjen te komshinjtë, e kisha te halli im. Ishte prishur gjithçka, ishin thyer xhamat. Ne pritëm kur erdhi policia dhe bënë verifikimet. Lokali është 100 metra2, i vendosur në katin e parë të pallatit”, u shpreh Bashkim Rajku.

Sipas tij, familja nuk ka pasur konflikte të mëparshme dhe nuk di shkaqet e sulmit. Ai ka shtuar gjithashtu se sipas informacioneve që kanë qarkulluar, mund të ketë pasur “xhelozi pune”, por pa dhënë detaje apo konfirmime.

“Ngjarjen nuk e di pse ndodhi, përderisa nuk kam parë gjë nuk di gjë. Me djalin fola, nuk kemi patur probleme me askënd. Djali artisti është, ku di unë tani. Konflikt me njerëzit nuk kemi, çështje xhelozie a rinie nuk e di tani. Personat që kemi marr vesh në media, nuk kishim lidhje me ta. Kleviol Ahmetin, Clevio, e kemi dëgjuar, e di që merret me muzikë. Ka patur xhelozi pune me djalin tim, nuk di gjë më shumë. Ky është nga Lushnja më duket”, tha ai.

Seanca gjyqësore është pjesë e procesit ku mbrojtja e të pandehurve ka paraqitur një listë të gjatë dëshmitarësh, përfshirë edhe anëtarë të familjes së artistit, ndërsa hetimet lidhen me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri në vitet e fundit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›