Kate Middleton viziton Italinë, Princesha në udhëtimin e parë jashtë vendit pas betejës me sëmundjen

Princesha britanike Kate Middleton u prit me shumë entuziazëm në qytetin italian Reggio Emilia ku po zhvillon udhëtimin e saj të parë zyrtar jashtë vendit që kur ajo u diagnostikua me kancer.
Ajo ka nisur një vizitë pune dyditore me Qendrën e Fondacionit Mbretëror për Fëmijërinë e Hershme, të cilën e themeloi në vitin 2021, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për rëndësinë e arsimit të hershëm të fëmijërisë, qëllimi i së cilës është që të bëhet një mision global, ndërsa qyteti italian u zgjodh pikërisht për shkak të qasjes së tij unike ndaj asaj çështjeje.
Vizita përbën një moment historik për Kate, duke shënuar rikthimin e saj dinamik në detyrat zyrtare. “Pa dyshim, ky është një moment i madh për princeshën. Do të ketë shumë momente të rëndësishme gjatë vitit, por meqenëse kjo është vizita e parë zyrtare ndërkombëtare pas shërimit të saj, është një moment vërtet i rëndësishëm për të”- tha një ndihmës i Princeshës britanike. Udhëtimin e fundit jashtë Britanisë, Kate Middleton e zhvilloi në Boston me bashkëshortin, Princin William në dhjetor të vitit 2022.
/rtsh.al/