Shpërthimi në pallatin në Elbasan, Llatja: Zjarrfikësit ndërhynë nga disa drejtime, u shpëtuan 10 persona - ATSH -
TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja reagoi sot lidhur me ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës pas shpërthimit tragjik në një pallat në lagjen “Beqir Dardha”, ku humbën jetën dy qytetarë.
Përmes një sqarimi publik, Llatja bëri me dije se zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje që në momentet e para, pas marrjes së njoftimit rreth orës 14:30, duke angazhuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 25 punonjës.
Sipas tij, pavarësisht përmasave të mëdha të zjarrit dhe dëmtimeve të shkallëve të pallatit, ekipet ndërhynë nga disa drejtime për të shuar flakët dhe për të shpëtuar banorët e bllokuar.
“Falë ndërhyrjes së menjëhershme, u bë i mundur evakuimi i më shumë se 10 personave, kryesisht fëmijë dhe të moshuar, përmes autoshkallës së emergjencës, përfshirë edhe banorë nga katet e sipërme të pallatit.
“Sipas raportimit të Shërbimit Zjarrfikës, mjetet nuk kanë hasur pengesa për të hyrë dhe për të ndërhyrë në vendngjarje. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale pasqyrojnë vetëm një moment të operacionit, ndërsa ndërhyrja është zhvilluar në disa drejtime të pallatit”, tha ai.
Llatja theksoi se bashkia Elbasan disponon 8 mjete zjarrfikëse, përfshirë 6 mjete për shuarjen e zjarreve, 1 autobot dhe 1 autoshkallë. Gjatë ndërhyrjes sipas tij, janë përdorur mjetet dhe pajisjet e nevojshme për përballimin e situatës.
Në reagimin e tij, Llatja shprehu ngushëllimet për familjet e dy viktimave, ndërsa falënderoi zjarrfikësit, punonjësit e emergjencave dhe efektivët e policisë për angazhimin në shpëtimin e jetëve.
“Mirënjohje dhe respekt për çdo zjarrfikës, punonjës të emergjencave dhe efektiv policie që dha maksimumin për të shpëtuar jetë në këtë situatë të rëndë. Njëkohësisht, do të vlerësonim kujdesin e mediave në përcjelljen e informacioneve të sakta dhe të verifikuara, në mënyrë që puna, përkushtimi dhe sakrifica e zjarrfikësve tanë të pasqyrohen me objektivitetin dhe respektin që meritojnë”, tha ai.
/m.q/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
