“Shqip Up Comedy Festival” feston pesë edicione në Cyrih - një mbrëmje që nisi me humor dhe kulmoi me muzikë

“Shqip Up Comedy Festival” solli një mbrëmje të veçantë në Cyrih të Zvicrës, duke shënuar me sukses edicionin e pestë jubilar dhe duke mbledhur në një sallë mbi 1,200 të pranishëm.
Për disa orë, skena u kthye në një hapësirë të mbushur me humor, energji dhe emocione, ku komedianë të njohur shqiptarë dhe zviceranë u kujdesën që publiku të përjetonte momente të paharrueshme, të shoqëruara me të qeshura dhe duartrokitje të vazhdueshme.
Por, kjo mbrëmje nuk u kufizua vetëm te humori.
Pas performancave të komedianëve, atmosfera mori një tjetër dimension me ngjitjen në skenë të grupit të mirënjohur “Elita 5”, i cili solli repertorin e tij të dashur për publikun dhe vazhdoi festën nën tingujt e hiteve që kanë shoqëruar ndër breza shqiptarët.
Përtej argëtimit, ky edicion shënoi edhe pesë vjetorin e një festivali që nga një ide e nisur me guxim është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Zvicër.
Arif ZiberiFoto: Screenshot/Instagram
Drejtuesi i festivalit, Ridvan Murati, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e publikut, ku për këtë mbrëmje udhëtuan jo vetëm nga Cyrihu, por edhe nga vende të tjera.
“Është një publik i jashtëzakonshëm, që vjen jo vetëm nga Cyrihu, por edhe nga shumë vende dhe shtete të tjera. Mendoj se është një prej publikut që e do stand-up komedinë dhe di ta vlerësojë atë. E kupton kur një aktor është në formë të mirë, por edhe kur ndoshta nuk e ka ditën e tij. Kjo më bën të ndihem jashtëzakonisht mirë”, tha Murati.
Ridvan MuratiFoto: Telegrafi
Sipas tij, festivali është një mundësi e mirë që njerëzit të shkëputen nga përditshmëria dhe të kalojnë momente të bukura përmes humorit.
“Mendoj se është një prej ngjarjeve për të cilat njerëzit kanë shumë nevojë. Jo vetëm një herë në vit, ndoshta edhe më shpesh, por të paktën një herë në vit duhet të kemi mundësi të qeshim pa u menduar dy herë”, u shpreh ai.
Duke folur për pesë vjetorin e festivalit, Murati tregoi se rritja e tij ka sjellë edhe më shumë përgjegjësi për organizatorët.
Përgatitjet për këtë edicion, sipas tij, kërkuan muaj të tërë pune dhe angazhim të vazhdueshëm nga një ekip i madh.
“Çdo vit po rritemi dhe çdo vit po e bëjmë përvojën më të madhe. Megjithatë, sfidat po bëhen gjithnjë e më të mëdha sepse nëse kishe dështuar në vitin e parë, ndoshta është më e lehtë të përballesh por kur arrin në pesë vjetor, në një edicion jubilar, nuk guxon të dështosh në asnjë segment. Na është dashur të punojmë ndoshta gjashtë muajt e fundit për këtë natë. Njerëzit mendojnë se gjithçka është e lehtë, por jo një punë jashtëzakonisht e madhe, një ekip i madh, komunikim dhe angazhim i përditshëm, javor e mujor”, tregoi tutje.
Ridvan MuratiFoto: Telegrafi
Murati zbuloi gjithashtu se festivali po zgjerohet edhe në qytete të tjera, pasi për herë të parë do të mbahet edhe në Frankfurt të Gjermanisë, ku shitja e biletave ka nisur mjaft mirë.
Ai theksoi se suksesi i çdo edicioni varet mbi të gjitha nga përvoja që arrijnë t'i ofrojnë publikut.
Pas tij, bashkë-drejtuesi i festivalit, Alban Hamza, kujtoi fillimet e këtij projekti dhe guximin që kërkoi organizimi i një ngjarjeje të tillë në Zvicër.
Për të, krijimi i festivalit nuk ishte aspak i lehtë, sidomos duke pasur parasysh numrin e komunitetit shqiptar në këtë shtet.
“Në fillim nuk ishte aspak e lehtë, sidomos në edicionin e parë, sepse krijuam diçka nga hiçi. Vendosëm të ndërtonim një festival në Zvicër, ku nuk kemi dy milionë banorë si në Kosovë apo katër-pesë milionë si në Shqipëri. Këtu kemi një komunitet prej rreth 250 deri në 300 mijë shqiptarësh dhe ne morëm guximin të ndërmerrnim një hap që shumë të tjerë ndoshta nuk do ta kishin marrë”, tha Hamza.
Alban HamzaFoto: Telegrafi
Shtoi gjithashtu se pritja e mirë e edicionit të parë u dha besimin për të vazhduar dhe për ta rritur festivalin nga viti në vit.
“Ky ishte një hap shumë i madh për ne. Nuk po them se ishte rrezik, sepse ndoshta mund të keqkuptohet, por ishte një guxim i madh që të nisnim diçka të tillë. Pas edicionit të parë e pamë se mund të funksiononte, se kishim potencial për të bërë diçka edhe më të madhe. Që atëherë jemi rritur vazhdimisht dhe pothuajse kemi dyfishuar numrin e shikuesve në secilin edicion. Besoj se sonte të gjithë e panë se çfarë kemi arritur”, u shpreh mes tjerash.
Një prej artistëve që ka qenë pjesë e festivalit që nga fillimet e tij është edhe Ernest Zymberi.
Ai vlerësoi mikpritjen e publikut shqiptar dhe energjinë që merr sa herë që rikthehet në Zvicër, duke theksuar se kënaqësia është e ndërsjellë mes artistëve dhe spektatorëve.
“Faleminderit për mikpritjen dhe të gjithë shqiptarëve që na kanë ftuar. Kemi qenë pjesë e këtij festivali që nga fillimi dhe çdo herë që vijmë, kthehemi në Kosovë me energji shumë të mirë. Përveç dashurisë dhe mikpritjes jashtë skenës, ka edhe ovacione dhe ndërveprim me publikun. Mua më pëlqen kur ata kalojnë mirë, sepse ne e presim gjatë gjithë vitit këtë moment për t'u prezantuar një pjesë të asaj që kemi përgatitur. Kënaqemi bashkë me ta”, tha Zymberi.
Ernest ZymberiFoto: Telegrafi
Për krijuesen e përmbajtjeve, Drilona Musa, kjo mbrëmje kishte një domethënie edhe më personale.
E rritur në Zvicër, ajo pati mundësinë po ashtu të performonte para familjarëve dhe miqve të saj, të cilët ishin të pranishëm në sallë.
Kjo e bëri përvojën edhe më emocionuese, ndërsa ajo u shpreh e befasuar nga numri dhe reagimi i publikut.
“Për mua, të performoj në Zvicër është diçka më speciale, sepse jam rritur në këtë vend. Sonte ishin të pranishëm edhe familja dhe shoqëria ime, prandaj ndjenja ishte krejt ndryshe. Publiku ishte shumë i mirë dhe numri i njerëzve më la pa fjalë. Kur i shihja karriget e zbrazëta para se të mbushej salla, nuk e imagjinoja se do të përjetoja një emocion të tillë. Jam ndier jashtëzakonisht mirë. Njerëzit kishin dëshirë të vinin dhe kjo vërehej gjatë gjithë mbrëmjes. Jam shumë mirënjohëse që më ftuan edhe këtë herë”, u shpreh ajo.
Drilona MusaFoto: Screenshot/ Instagram
Në këtë edicion ishte edhe komediani dhe moderatori zviceran, Stefan Busser, për të cilin performanca para publikut shqiptar ishte një përvojë e veçantë.
Ai foli me entuziazëm për vizitat e tij në Shqipëri dhe Kosovë, duke treguar se natyra i kujton shumë Zvicrën, ndonëse mikpritja e njerëzve i ka lënë mbresa të mëdha.
“Jam moderator dhe komedian në televizionin zviceran, prandaj për mua ishte shumë e veçantë të performoja para publikut shqiptar, të cilin e pëlqej shumë. Kam qenë në Shqipëri, Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit, dhe më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Ngjashmëria me Zvicrën është e madhe, sidomos kur sheh malet, liqenet dhe natyrën, të cilat më japin ndjesinë sikur jam në shtëpi”.
“Njerëzit janë të mrekullueshëm dhe shumë mikpritës. Kudo që shkonim, njerëzit donin të na qerasnin me pije që i përgatitnin vetë. Ishin goxha të forta, duhet pranuar. Por, përtej kësaj, ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte mikpritja dhe afërsia e tyre. Patjetër që duhet të kthehem sërish, madje sa më shpejt”, tha Busser ndër tjerash.
Stefan BusserFoto: Telegrafi
Ndërkaq, moderatori i festivalit, i cili këtë vit drejtoi mbrëmjen së bashku me Arbela Statovcin, e cilësoi pjesëmarrjen në këtë edicion si një privilegj të veçantë.
Për të ishte hera e dytë që ishte pjesë e “Shqip Up Comedy Festival”, teksa u shpreh i lumtur me numrin e madh të të pranishmëve dhe besimin e organizatorëve.
Ylberi dhe ArbelaFoto: Screenshot/Instagram
Aktori nga Gjakova theksoi se kishte kaluar shumë mirë gjatë mbrëmjes, duke vlerësuar faktin që në sallë ishin mbledhur rreth 1,200 deri në 1,300 persona.
Gjithashtu, falënderoi Ridvanin dhe Albanin për besimin dhe shprehu dëshirën që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në edicionet e ardhshme.
Ylber BardhiFoto: Telegrafi
Kështu, edicioni i pestë jubilar i “Shqip Up Comedy Festival” në Cyrih u përmbyll me sukses, duke bashkuar humorin, muzikën dhe publikun shqiptar në një mbrëmje të veçantë.
Nga të qeshurat që mbushën sallën deri te këngët e “Elita 5”, ky dëshmoi edhe një herë se pesë vitet e tij të para janë vetëm një kapitull i një rrugëtimi që synon të vazhdojë të rritet. /Telegrafi/