E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Austri, financohen shtatë projekte të kërkimit shkencor dhe inovacionit

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro informoi sot se thirrja e 5-të dypalëshe Shqipëri–Austri në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit është finalizuar, si një hap i rëndësishëm për forcimin e ndërkombëtarizimit të kërkimit shkencor dhe integrimin e institucioneve shqiptare në Hapësirën Evropiane të Kërkimit.

Kumbaro bëri me dije se pas takimit të delegacionit të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit në Vjenë me përfaqësues të Ministrisë së Shkencës së Austrisë, u miratuan rezultatet e thirrjes dhe financimi i 7 projekteve të përbashkëta kërkimore Shqipëri–Austri.

Sipas Kumbaros, projektet e përzgjedhura janë vlerësuar mbi bazën e meritës shkencore dhe impaktit të pritshëm, duke synuar forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve shqiptare dhe austriake, si dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore të akademikëve dhe studiuesve shqiptarë.

Zbatimi i projekteve, nënvizoi Kumbaro do të nisë më 1 korrik 2026 dhe do të zgjasë për dy vite, duke kontribuar në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit si shtylla të rëndësishme të zhvillimit të qëndrueshëm dhe transformimit digjital të vendit.

Ky bashkëpunim parashikon vijimësinë e tij edhe me Thirrjen e 6-të Dypalëshe në gjysmën e dytë të vitit 2027, si pjesë e angazhimit për rritjen e investimeve në shkencë, dije dhe inovacion.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›