BM – Një viktimë dhe shumë të plagosur, pas përplasjes së dy trenave në Londër

LONDËR, 19 /ATSH-DPA/ – Dy trena pasagjerësh janë përplasur në zonën e Bedfordit, në veri të Londrës, duke shkaktuar lëndime serioze te udhëtarët dhe stafi në bord, sipas autoriteteve britanike.
Njoftohet edhe për një viktimë.
Aksidenti ndodhi të sot pasdite në jug të Bedfordit, pranë nyjës rrugore “Elstow”, mes autostradës A421 dhe rrugës A6.
Pamjet ajrore nga vendngjarja tregojnë dy trena të dëmtuar të kompanisë “East Midlands Railway”, me shumicën e vagonëve ende në shina, ndërsa të paktën njëri ka dalë prej tyre.
Shërbimet e emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, ambulancat ajrore dhe ekipet speciale të reagimit ndaj incidenteve të rrezikshme, janë mobilizuar në vendngjarje.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin zonën, ndërsa familjarëve të pasagjerëve të mos udhëtojnë drejt saj.
Një pasagjer, i cili ndodhej në trenin që udhëtonte drejt stacionit “London St Pancras”, tha se përplasja ndodhi rreth orës 17:12.
“Vagoni i tretë doli nga shinat. Unë jam mirë, megjithëse kam lëndime në këmbë dhe në shpinë. Të tjerët nuk janë në gjendje të mirë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sipas dëshmisë së tij, nuk pati asnjë sinjal paralajmërues, frenim apo zhurmë borie para përplasjes.
Kompania “East Midlands Railway” njoftoi se trenat nuk do të mund të hyjnë apo dalin nga stacioni “London St Pancras” gjatë pjesës së mbetur të ditës dhe u bëri thirrje pasagjerëve të mos udhëtojnë.
Sekretarja britanike e Transportit, Heidi Alexander, deklaroi se është “thellësisht e shqetësuar” nga raportimet për aksidentin dhe falënderoi shërbimet e emergjencës për reagimin e shpejtë.
Shkaqet e përplasjes nuk janë bërë ende të ditura dhe hetimet janë në vijim.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar për numrin e të plagosurve. /Ad.Ab./ a.jor.