E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-BE, mbahet Takimi i 17-të i Nënkomitetit për Inovacionin dhe Politikat Sociale

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot Takimi i 17-të i Nënkomitetit BE-Shqipëri për inovacionin, shoqërinë e informacionit, arsimin, kulturën, politikat sociale dhe punësimin, në kuadër të dialogut të rregullt ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për procesin e integrimit evropian.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, dhe Hubert Duhot, bashkëkryetar i DG ENEST, theksuan në fjalën e tyre rëndësinë e avancimit të reformave dhe thellimit të bashkëpunimit në kuadër të negociatave të anëtarësimit.

Gjatë sesioneve tematike, përfaqësuesit e institucioneve shqiptare dhe ata të Bashkimit Evropian diskutuan mbi progresin e arritur dhe prioritetet e mëtejshme në fushën e shkencës, kërkimit dhe inovacionit, përfshirë pjesëmarrjen në programet e BE-së dhe forcimin e ekosistemit kombëtar të inovacionit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua transformimit digjital, medias dhe përafrimit me acquis të BE-së në sektorin e komunikimeve elektronike dhe sigurisë kibernetike.

Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu arsimi, kultura dhe zhvillimi i aftësive, si dhe politikat sociale, punësimi dhe barazia, me theks të veçantë në përafrimin legjislativ dhe zbatimin e reformave sociale.

Palët trajtuan edhe çështje që lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për zbatimin e acquis përkatës.

Diskutimet u përqendruan në përmbushjen e “closing benchmarks”, avancimin e reformave të planifikuara dhe koordinimin ndërinstitucional për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i negociatave të anëtarësimit.

Përfaqësuesit shqiptarë prezantuan arritjet e deritanishme, ndërsa u shkëmbyen opinione dhe rekomandime konkrete për hapat e ardhshëm.

Takimi u zhvillua në format fizik dhe online, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe ambasadorëve të vendeve anëtare, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e bashkëpunimit në rrugën drejt integrimit evropian.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›