E Premte, 6 Nëntor 2026

“Shqipëri-Serbi janë dy realitete të ndryshme”/ Rama: Kam dëgjuar kërkesat e qytetarëve, kam ndërmarrë reforma

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestat dhe krahasimet mes situatës politike në Shqipëri dhe asaj në Serbi, duke theksuar se dy vendet përfaqësojnë realitete të ndryshme. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, Rama deklaroi se qeveria ka dëgjuar kërkesat e qytetarëve dhe ka ndërmarrë një sërë reformash dhe masash konkrete në përgjigje të shqetësimeve të tyre.

Kreu i qeverisë përmendi rritjen e transparencës për çështjet e Sazanit dhe Zvërnecit, si dhe masat ekonomike të parashikuara në buxhetin e ri, përfshirë uljen e TVSH-së për shportën në 6% dhe uljen e çmimit të naftës me 32 lekë përmes ndryshimeve në taksimin e automjeteve. Sa i përket protestave, Rama kritikoi përpjekjet për të barazuar situatën në Shqipëri me atë në Serbi, duke i cilësuar ato si dy realitete pa pika të përbashkëta.

“Se sa e ngjashme është Shqipëria me Serbinë dhe situatat në të dyja vendet, këtë mund të konstatoni duke krahasuar qëndrimin e BE-së ndaj ndryshimit në Serbi dhe ndaj ndryshimeve të mëdha që ka bërë Shqipëria. Janë dy realitete që nuk kanë asnjë gjë të përbashkët, pavarësisht përpjekjeve për t’i bashkuar, pavarësisht agjendave të atyre që duan të rrëzojnë qeverinë me dhunë.

Sa i takon mobilizimit të madh, unë e kam thënë vetë dhe e ka bërë vetë krahasimin të protestave të mëdha të qershorit dhe shndërrimit të bulevardit në një arenë sorrash e korbash. Nuk kishte se si të mos kalonte në të dhunshme, ku si parullë kishte vetëm “nuk ka dialog”. Në funksion të protestave masive ne kemi bërë hapa të rëndësishëm për të lexuar kërkesat e qytetarëve.

Hapa kundrejt transparencës, kemi bërë transparente gjithçka lidhur me Sazanin dhe Zvërnecin. Më pas, me buxhetin e ri, kemi adresuar çështje që lidhen me anën ekonomike të shqetësimeve të njerëzve, që nga realizimi i një zotimi të kahershëm, ulja e TVSH-së për shportën në 6%, deri te ulja e drejtpërdrejtë e çmimit të naftës në pompa me 32 lekë, duke spostuar taksën e automjetit.

Kam dëgjuar që është quajtur si kthimi te e majta ideologjike, këta nuk dinë se çfarë flasin. Është kthimi i mundësive për të shpërndarë më shumë, nga rritja e ekonomisë, si të shpërndajmë më shumë duke rritur ekonominë. Është vetëm ekonomia që na jep, ose jo, mundësitë. Ekonomia jonë rritet dhe rritja e saj na ka dhënë mundësinë që të shpërndajmë me një paketë të re”, u shpreh kreu i qeverisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›