E Martë, 3 Nëntor 2026

Shqipëri dhe Letoni, historia e përballjeve mes dy ekipeve

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet mbrëmjen e së martës me Letoninë në Riga në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.

Por, kjo nuk është sfida e parë mes Shqipërisë dhe Letonisë, teksa janë regjistruar 5 ndeshje mes tyre, ku 1 ka qenë miqësore, 2 për kualifikimet e Kupës së Botës “SHBA 1994” dhe 2 ndeshje për kualifikueset e “Euro 2000”.

Ndeshjet mes kombëtares shqiptare dhe asaj letoneze kanë treguar një rivalitet të fortë dhe të balancuar gjatë viteve.

Në ndeshjet e para gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës 1994, takimet përfunduan pa fitues, me rezultate të tilla si barazimi 1-1 në Shqipëri më 11 nëntor 1992, ku për kuqezinjtë shënoi mesfushori Ilir Kepa dhe barazimi 0-0 në Letoni më 15 maj 1993.

Ndeshja e tretë mes dy përfaqësueseve ishte një miqësore e 10 shkurtit 1998 e luajtur në Ta Qali të Maltës. Ndeshja përfundoi në barazim 2-2- u për kuqezinjtë shënoi 2 herë Bledar Kola.

Shqipëria dhe letonia u përballën më pas edhe për kualifikueset e kampionatit Evropian të mbajtur në Holandë dhe Belgjikë në vitin 2000.

Ndeshja e parë në Riga e luajtur më 28 prill 1999 përfundoi në barazim 0-0. Ndërsa në sfidën e kthimit në Tiranë e luajtur më 4 shtator 1999, sfida përfundoi në barazim 3-3.

Për Kombëtaren shqiptare shënoi 2 herë Alban Bushi dhe 1 gol nga Devi Mukaj.

Së fundmi, për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, Shqipëria dhe Letonia do të përballen sërish në grupin K, me ndeshje të planifikuara për 10 qershor dhe në shtator 2025, duke i shtuar edhe një kapitull të ri këtij rivaliteti.

Këto përballje dëshmojnë jo vetëm konkurrencën sportive, por edhe lidhjet kulturore dhe historike mes dy vendeve, ku futbolli shërben si një urë miqësie dhe sfide e ndershme në arenën ndërkombëtare.

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›