Kumbaro: Certifikohen 16 udhërrëfyes të rinj, shoqërojnë vizitorët në shtigjet e veriut të Shqipërisë

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Turistët vendas e të huaj gjithnjë e më shumë po zgjedhin guidat lokale në vizitat e tyre në Shqipëri dhe sidomos në veri të vendit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “një gjeneratë e re udhërrëfyesish malorë është gati për t’ju udhëhequr me siguri dhe pasion në shtigjet e veriut të Shqipërisë. 16 të rinj nga Shkodra, Puka, Tropoja, Hasi dhe Kukësi kanë përfunduar 320 orë trajnim profesional, duke u përgatitur në navigim në çdo stinë, menaxhim rreziku dhe siguri në mal, trashëgimi kulturore e natyrore dhe natyrisht turizëm i qëndrueshëm”.
“Këta udhërrëfyes janë në proces certifikimi nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Ata përfaqësojnë një model të ri: turizëm malor cilësor, i sigurt dhe me lidhje të forta me komunitetin”, theksoi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Udhërrëfyesit turistikë janë të parët që u urojnë mirëseardhjen udhëtarëve dhe rrëfejnë Shqipërinë në të gjitha ndjesitë, shijet e përvojat e mbi të gjitha për qasjen e përgjegjshme për mbrojtjen e natyrës dhe ruajtjen e trashëgimive të pasura.
Udhërrëfyesit e rinj janë të trajnuar në: Navigim në terren malor, verë dhe dimër; menaxhim rreziku dhe siguri në mal; interpretim i trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe praktika të turizmit të qëndrueshëm.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një turizëm më cilësor dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm në veri të vendit aty ku puna me komunitetin dhe mbështetja për sipërmarrjet e reja ecin paralelisht.
1 nga 17/k.s/a.f/