Shqipëria 2030, vizioni i reformave drejt integrimit europian. Malaj prezanton progresin ekonomik në Bruksel

Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në Bruksel si folës në panelin e nivelit të lartë “Zgjerimi dhe zhvillimi: Çfarë na diktojnë shifrat”, aktivitet i drejtuar nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Gjatë fjalës së tij, Malaj prezantoi progresin e qëndrueshëm që po bën Shqipëria në drejtim të konvergjencës me Bashkimin Europian, duke theksuar se ekonomia shqiptare po shfaq një performancë gjithnjë e më solide.
“Rritja ekonomike mbi mesataren, ulja graduale e borxhit publik, shtimi i investimeve dhe transformimi strukturor janë tregues të qartë të një ekonomie më konkurruese dhe më rezistente ndaj sfidave globale.”
Ai nënvizoi se këto arritje janë rezultat i reformave të thella dhe një vizioni të qartë zhvillimi, duke shtuar se iniciativa ‘Shqipëria 2030’ do të vijojë me vendosmëri rrugën drejt integrimit europian.
Pas fjalës së tij, Malaj publikoi një reagim në rrjetet sociale ku shkruan se, “Jam i ftuar si folës në panelin e nivelit të lartë ‘Zgjerimi dhe zhvillimi: Çfarë na diktojnë shifrat’, nën drejtimin e Komisioneres znj. Marta Kos. Prezantova progresin e qëndrueshëm që po bën Shqipëria në drejtim të konvergjencës me Bashkimin Europian. Rritja ekonomike mbi mesataren, ulja e borxhit publik, rritja e investimeve dhe transformimi strukturor dëshmojnë një ekonomi gjithnjë e më konkurruese dhe rezistente ndaj sfidave globale. Falë reformave të thella dhe një vizioni të qartë, #Shqipëria2030 do të vijojë me vendosmëri në rrugën e saj europiane.”
/rtsh.al/