Shqipëria anëtare e BE para 2030? Kryediplomati danez: Objektiv pa diskutim i arritshëm

Në vijim të vizitës së saj në Kopenhagë të Danimarkës, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali u prit nga homologu i saj Lars Løkke Rasmussen.
Fokusi i takimit mes dy homologëve ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në kontekstin e Presidencës daneze të BE.
Sipas kryediplomatit danez, objektivi i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian para vitit 2030 është pa diskutim i arritshëm, ndërsa shtoi se, “përpara se të përmbyllim presidencën daneze, ne do të hapim të gjithë kapitujt me Shqipërinë”.
“Ne sapo patëm një takim shumë interesant. Ishte shumë e këndshme t’ju mikprisja dhe të diskutoja progresin e Shqipërisë, për aplikimin për anëtarësimin evropian. Jam krejtësisht i bindur se përpara se të përmbyllim presidencën daneze, ne do të hapim të gjithë kapitujt me Shqipërinë. Dhe unë mendoj se ky objektiv i Shqipërisë i të qënurit anëtar i Bashkimit Evropian përpara vitit 2030 është pa diskutim i arritshëm”, tha Rasmussen.
“Faleminderit shumë Ministër për këtë takim që ishte i frytshëm, shumë produktiv dhe shumë i këndshëm. Ne patëm një shkëmbim pikëpamjesh dhe unë shfrytëzova mundësinë për t’ju falënderuar për lidershipin tuaj të fortë në nivel personal, por edhe lidershipin e Danimarkës gjatë mbajtjes së Presidencës së BE-së, për këndvështrimin strategjik ndaj procesit të zgjerimit dhe për të kuptuarit, por dhe të zbatuarit, si dhe lobimit e nxitjes që procesi i zgjerimit të konsiderohet një projekt strategjik për Evropën. Për ne nuk është vetëm zgjerimi i Evropës, por edhe ribashkimi i Evropës, për një Evropë më të fortë, për një Evropë më të qëndrueshme, për një Evropë më të begatë dhe Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria janë gati të bëjnë pjesën e tyre. Ndaj, angazhimi juaj që Shqipëria të hapë të gjithë grupkapitujt këtë vit është një inkurajim i fortë për ne, është një inkurajim i fortë për qeverinë, për kuvendin tonë, për njerëzit tanë, 92% e tyre e mbështesin procesin e integrimit në BE. Është vendi më pro BE-së në Evropë dhe ne po punojmë shumë seriozisht dhe intensivisht për qenë në gjendje të mbyllim negociatat deri në 2027-tën dhe të bëhemi një anëtar brenda kësaj dekade, brenda 2030-s. Kjo është absolutisht realiste”, u shpreh ndër të tjera ministrja Spiropali.