Gjykata la në burg shoferin që shkaktoi vdekjen e 17-vjeçarit në Vlorë, familjarët: Është vrasje me dashje

Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçarin, i cili përplasi për vdekje 17-vjeçarin dy ditë më parë në Vlorë.
Ai akuzohet për “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Mësohet se në sallën e gjyqit, shoferi ka kërkuar falje.
Ndërkohë, jashtë ambienteve të gjykatës ka pasur prezencë të familjarëve të të ndjerit. Ata kërkuan ashpërsim të ligjit, pasi sipas tyre nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, por vrasje me dashje.
“Nuk ishte një aksident, por për ne është një vrasje me dashje. Në momentin që ecën me 200 km/h në bulevard dhe të rezultosh i dehur, nuk ka fjalë për ne… Nuk arrijmë dot ta besojmë këtë gjë. Kërkojmë që të ashpërsohet ligji, nuk është shkelje e qarkullimit rrugor, është vrasje me dashje”.
Aksidenti tragjik ndodhi më datë 28 tetor, ku 32-vjeçari përplasi për vdekje adoleshentin, që po udhëtonte me motor.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë”, do të njoftonte policia.