Zëvendësministri Ahmeti takohet në SHBA me senatorin Peters dhe kongresistin Torres

PRISHTINË, 24 shkurt /ATSH/ Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi takime të ndara në Uashington, D.C me senatorin Gary Peters dhe kongresistin Ritchie Torres.
Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se në kuadër të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u diskutua për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Po ashtu, u theksua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për njohje të reja ndërkombëtare për Republikën e Kosovës dhe për avancimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Pjesë e diskutimeve ishte edhe mbështetja e ofruar përmes Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), për të cilin zëvendësministri Ahmeti, shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në avancimin e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjithashtu, u diskutua edhe për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar nevojën për përmirësimin e të drejtave dhe kushteve të tyre dhe për një vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj gjendjes së tyre.
Zëvendësministri Ahmeti, falënderoi Senatorin dhe Kongresistin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, duke vlerësuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
/KosovaPress//r.e/