Shqipëria dhe Franca bashkë për prodhime kinematografike, veprat me statusin e “filmit kombëtar”

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme marrëveshjen me Qeverinë e Francës lidhur me bashkëprodhimin kinematografik.
Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve kulturore Shqipëri-Francë.
Marrëveshja krijon një kuadër të ri ligjor dhe financiar që lehtëson bashkëprodhimet filmike dhe rrit aksesin e kineastëve shqiptarë në tregun dhe fondet ndërkombëtare.
Sipas marrëveshjes, veprat e bashkëprodhuara do të gëzojnë statusin e “filmit kombëtar” në të dy vendet, duke u mundësuar akses të drejtpërdrejtë në skemat mbështetëse financiare si në Shqipëri, ashtu edhe në Francë, pa procedura shtesë administrative.
Po ashtu, këto prodhime do të përfitojnë të njëjtat avantazhe ligjore dhe fiskale si veprat kombëtare të secilit shtet, duke krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
Marrëveshja parashikon fleksibilitet financiar në bashkëprodhim, ku kontributi minimal i palëve mund të ulet deri në 10% të buxhetit total të projektit, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së producentëve shqiptarë në projekte ndërkombëtare me struktura buxhetore të ndryshme.
Kjo marrëveshje vlerësohet si një hap i rëndësishëm për konsolidimin e industrisë kinematografike shqiptare dhe zgjerimin e bashkëpunimit afatgjatë në fushën e artit dhe kulturës
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/e.i/r.e/