E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria hap një tjetër kapitull në rrugën drejt BE-së! Konferenca e katërt ndërqeveritare mbahet sot në Luksemburg

Sot, më 14 prill, në Luksemburg zhvillohet Konferenca e katërt ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama. Kjo konferencë shënon një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian të vendit.

Vendimi për mbajtjen e kësaj konference u mor me konsensus nga ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, nën drejtimin e Presidencës polake të Unionit.

Takimi i sotëm do t’i hapë rrugë negociatave për grup-kapitullin 2, që lidhet me Tregun e Brendshëm të BE-së. Brenda këtij grupi përfshihen kapitujt që kanë të bëjnë me:

  • Lëvizjen e lirë të mallrave (kapitulli 1),
  • Lirinë e lëvizjes së punonjësve (kapitulli 2),
  • Të drejtën e themelimit dhe ofrimin e shërbimeve (kapitulli 3),
  • Lëvizjen e lirë të kapitalit (kapitulli 4),
  • Të drejtën e kompanive (kapitulli 6),
  • Pronësinë intelektuale (kapitulli 7),
  • Politikat e konkurrencës (kapitulli 8),
  • Mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetit (kapitulli 28).

Kujtojmë që më 15 tetor u çel grup-kapitulli i parë që përfshin çështjet themelore si reforma në drejtësi, sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Ndërsa më 17 dhjetor nisën diskutimet për grup-kapitullin e gjashtë që trajton politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›