E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria larg listës gri/ Malaj: Kontroll total mbi paratë që hyjnë në vend

Ministri i Financave, Petrit Malaj, mbajti sot fjalën e tij në Kuvend lidhur me projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime që synojnë parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

“Masat që kemi ndërmarrë dhe vazhdojmë të marrim synojnë forcimin e sigurisë kombëtare, garantimin e integritetit të sistemit financiar dhe mbrojtjen e ekonomisë shqiptare nga ndikimet e mundshme të aktiviteteve të paligjshme financiare. Në një kohë kur rrjetet terroriste dhe ato kriminale operojnë në një kontekst global, përgjigjja jonë duhet të jetë plotësisht në përputhje me kërkesat e aleatëve tanë strategjikë”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se projektligji është një hap i domosdoshëm për të plotësuar kuadrin ligjor dhe për të rritur efikasitetin në zbatimin e tij. Malaj vuri në dukje progresin e arritur, rritjen e numrit të hetimeve dhe forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

“Që prej vitit 2023, Shqipëria nuk ndodhet më në proces të monitorimit të shtuar apo në listën gri. Ka vende të BE-së, si Kroacia, që u pastruan nga lista gri vetëm vitin e kaluar, ndërsa Bullgaria dhe Monako janë ende pjesë e saj”, shtoi ministri.

Ai gjithashtu prezantoi disa të dhëna makroekonomike për vitin 2025:

Remitancat, mbi 2 miliard euro

Të ardhurat nga turizmi arritën 5.7 miliard euro, me një rritje prej 14.5% krahasuar me vitin 2024

Investimet e huaja direkte u rritën në nivelin më të lartë historik për 9-mujorin e parë të vitit, duke arritur 1.6 miliard euro

Kreditimi në valutë, kryesisht në euro, u shtua me 1.8 miliard euro

Investimet e huaja për blerjen e pasurive të paluajtshme arritën në 560 milion euro

“Po gjenerohet rritje organike e valutës”, përfundoi Malaj.

Shtesat, propozimet në këtë ligj:

– Përfshirja në ligj e konceptit të armëve të dëmtimit në masë: Subjektet e ligjit kështu kanë detyrime më të qarta për të identifikuar dhe kuptuar rrisqet

– Forcimi i masave të brendshme të subjekteve raportuese

– Janë përmirësuar dispozitat që lidhen me parashikimin e mundësisë së bllokimit apo ngrirjes të përkohshme të transaksioneve deri në 72 orë (kur ka arsyhe të bazuara në rrethana dhe fakte për financimin e armëve të dëmtimit në masë)

– Për organizatat jofitimprurëse, projektligji sjell një qasje më të balancuar dhe proporcionale

– Masa të vigjilencës së zgjeruar

– Forcohet roli i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›