Rutte: Aleatët e NATO-s po përmbushin kërkesat e Donald Trump

Sekretari i përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, deklaroi sot se, vendet anëtare po bëjnë gjithçka që ka kërkuar presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të forcuar aleancën ushtarake, edhe pse disa prej tyre fillimisht kanë qenë “disi të ngadalta” në ofrimin e mbështetjes në kuadër të luftës së saj me Iranin.
“Kur erdhi momenti për të ofruar mbështetjen logjistike dhe forma të tjera ndihme që Shtetet e Bashkuara kishin nevojë në Iran, disa aleatë ishin paksa të ngadalshëm, për të thënë të paktën. Në njëfarë mënyre, kjo ndodhi edhe sepse ata u befasuan. Për të ruajtur elementin e surprizës për goditjet fillestare, Presidenti Trump zgjodhi të mos i informojë aleatët paraprakisht,” u shpreh Rutte gjatë një fjalimi në Uashington.
Megjithatë, ai theksoi se situata ka ndryshuar ndjeshëm.
“Por ajo që shoh sot, kur vështroj në të gjithë Europën, është se aleatët po ofrojnë një mbështetje masive,” shtoi ai.
“Pothuajse pa përjashtim, vendet aleate po bëjnë gjithçka që kërkojnë Shtetet e Bashkuara. Ata i kanë dëgjuar dhe po i përgjigjen kërkesave të Presidentit Trump.”
Siç raportonte “Wall Street Journal”, Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes së trupave nga vendet e NATO-s që mbyllën bazat për amerikanët gjatë fushatës ushtarake ndaj Iranit. Sipas artikullit, Presidenti Donald Trump planifikon t’i zhvendosë trupat në shtetet aleate që treguan besnikëri maksimale gjatë luftës dhe krizës në Hormuz.
Në shënjestër të Uashingtonit janë vendosur Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja, të cilat kufizuan përdorimin e hapësirës ajrore dhe logjistikën për avionët amerikanë.
Nga ana tjetër, përfituesit e kësaj lëvizjeje pritet të jenë Polonia, Rumania, Lituania dhe Greqia, të cilat Trump i konsideron si partnerët më të palëkundur të Amerikës dhe Izraelit.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth”, Trump kritikoi ashpër aleancën veri-atlantike, se nuk ishte aty kur SHBA kishte nevojë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Aleanca dështoi në testin e luftës me Iranin dhe dështoi.