E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, mes destinacioneve më të mira për pushime/ “Which?” vlerëson rivierën dhe trashëgiminë historike

Shqipëria vijon të ngjitet në hartën botërore të turizmit, duke u renditur në krye të destinacioneve më të preferuara për pushime.

Media prestigjioze britanike “Which?”, një nga autoritetet më të besueshme për udhëtime dhe shërbime turistike, e ka përfshirë Shqipërinë mes tureve më të dashura nga pushuesit ndërkombëtarë.

Pas një sondazhi me mijëra udhëtarë, “Which?” vlerësoi pothuajse 100 kompani turistike dhe zgjodhi më të mirat për eksperienca të ndryshme udhëtimi. Mes tyre, spikat edhe turi në Shqipëri, i ofruar nga kompania britanike” One Traveller”, e specializuar në udhëtime solo për udhëtarë në moshë.

Në artikull thuhet se Shqipëria është shumë më tepër sesa një destinacion ekonomik buzë Mesdheut. Turi përfshin fshatra të mbrojtura nga UNESCO me arkitekturë osmane, peizazhe mbresëlënëse përgjatë Rivierës Shqiptare, lundrim me anije në mini-gadishuj, vizita në kala historike si dhe degustim verërash, në një vend që njihet si një nga djepet më të hershme të vreshtarisë në botë.

Një ndalesë e veçantë i kushtohet edhe zonës së Liqenit të Prespës, në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, një destinacion ende i paprekur masivisht, por me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.

“One Traveller” vlerësohet maksimalisht nga anëtarët e “Which?” për shërbimin ndaj klientit dhe guidat turistike, duke ofruar udhëtime pa kosto shtesë për dhoma teke dhe asistencë 24 orë gjatë gjithë turit.

Sipas të dhënave, paketa turistike në Shqipëri nis nga 2 mijë e 190 paund për person, përfshin fluturimet, akomodimin, shumicën e vakteve, ekskursionet.

Nëse planifikoni të vizitoni Shqipërinë, “One Traveller” rekomandon muajt maj, qershor, shtator dhe tetor.

Shqipëria ndiqet në këtë listë nga Austria, Japonia apo Anglia Veriore. Një tjetër dëshmi se vendi ynë po shndërrohet në një destinacion elitar për turizmin kulturor dhe natyror, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave dhe udhëtarëve ndërkombëtarë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›