Shqipëria në krah të Ukrainës, Spiropali: Mbështesim përpjekjet për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, Rusia duhet të vihet para përgjegjësisë
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj në Kiev zhvilloi një konferencë për shtyp me homologun e saj ukrainas Andrii Sybiha, ku rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.
Në fjalën e saj, Spiropali u shpreh se ndihej e nderuar dhe thellësisht e prekur që ndodhej sërish në Ukrainë, duke kujtuar homazhet e saj gjashtë muaj më parë në Memorialin e Heronjve në Odesa.
“Ju falenderoj shumë për mikëpritjen. Unë madje nuk po e ndjej më të ftohtin,” tha ajo, duke theksuar se Ukraina po përballet prej gati katër vitesh me një luftë të pajustifikuar dhe të paprovokuar, shkaktuar nga Federata Ruse, e cila ka sjellë shkatërrim, vuajtje dhe humbje, por nuk ka mundur të mposhtë vullnetin dhe shpirtin e popullit ukrainas.
Spiropali përkujtoi se vizita e saj përkonte me një datë historike për Ukrainën, 5 janarin, kur në vitin 1992 Rada Verkhovna zyrtarizoi muzikën e himnit kombëtar “Shçe ne vmerla Ukraini” – “Ukraina ende nuk ka vdekur”.
Ajo nënvizoi se këto fjalë janë një premtim se “Fati do të buzëqeshë sërish”.
Ministrja dënoi ashpër sulmet e fundit të Rusisë ndaj sistemeve energjetike dhe infrastrukturës kritike, duke i cilësuar si të paprovokuara, të pajustifikuara dhe të kryera në shpërfillje të hapur të së drejtës ndërkombëtare.
“Shqipëria i dënon këto krime pa asnjë rezervë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim, asnjë paqartësi përballë një agresioni kaq brutal. Ata që janë përgjegjës për këto mizori, duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë. Mosndëshkimi nuk është një opsion,” u shpreh Spiropali, duke shtuar se drejtësia për viktimat dhe rivendosja e sovranitetit të plotë të Ukrainës janë parakushte për paqen.
Më tej ministrja kujtoi se Shqipëria ka qenë një mbështetëse e qëndrueshme e Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus, duke u rreshtuar me sanksionet e Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare, si edhe duke mbështetur integrimin evropian të Ukrainës.
“Si çdo komb tjetër demokratik dhe i qytetëruar që e çmon paqen, ne dëshirojmë që vuajtjet të marrin fund dhe të nisë rindërtimi, në mënyrë që fëmijët të mund të flenë pa frikë. Por, për ta arritur këtë, është thelbësore një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme,” tha ajo, duke mirëpritur përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë.
Spiropali theksoi se një paqe e drejtë nënkupton kthimin në shtëpi të fëmijëve të rrëmbyer, kthimin e të burgosurve, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe mbajtjen e përgjegjësisë nga agresori.
Ajo shtoi se është po aq e rëndësishme të projektohet e ardhmja e Ukrainës si pjesë e familjes evropiane, duke siguruar se Shqipëria do ta mbështesë pa hezitim rrugën evropiane të Kievit në çdo forum shumëpalësh.
Gjatë takimit me homologun Sybiha, u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe harmonizimin e lidhjeve politike me bashkëpunim më të fuqishëm në fusha të ndryshme.
“Bashkarisht ramë dakord që, pavarësisht vështirësive, të përqendrohemi në mundësitë për tregti dhe investime, kontakte më të thella ndërmjet komuniteteve të biznesit, si edhe bashkëpunim në sektorë ku Shqipëria dhe Ukraina mund të krijojnë vlerë të shtuar, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe teknologjia,” deklaroi Spiropali.
Ajo vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në Ukrainë si një urë të rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në projektet e pasluftës dhe rindërtim, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Në fund, ministrja Spiropali u shpreh se “Ukraina po shkruan një nga historitë e mëdha të kohës sonë, një histori rezistence, dinjiteti dhe refuzimi për t’u dorëzuar përballë tiranisë. Shqipëria është krenare të jetë pjesë e kësaj historie, si një mike që zgjodhi të qëndrojë në krahun tuaj në momentet vendimtare. Dhe do të vazhdojmë të jemi, për sa kohë të kërkohet. Sepse nuk mund të jesh neutral mes zjarrit dhe zjarrfikëses. Nuk ka terren të mesëm moral mes një kombi që lufton për mbijetesën e tij dhe një lufte perandorake që synon ta fshijë atë nga ekzistenca! Slava Ukraini!”
/rtsh.al/