E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqipëria për herë të parë pjesë e takimit për Marinat e Qëndrueshme dhe Inteligjente, Balluku: Kemi strategji për ngritjen e tyre nga veriu në jug

Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë në Konferencën Ndërkombëtare për Marinat Inteligjente dhe të Qëndrueshme, që u zhvillua në Monaco.

Në atë takim Shqipëria ka paraqitur planet e saj për zhvillimin e industrisë së marinave, duke e kthyer këtë sektor në një fokus të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se Shqipëria iu bashkua kësaj konference pas nisjes së krijimit të një strategjie për zhvillimin e marinave nga veriu në jug të vendit.

Balluku nënvizoi se ky plan ka për qëllim të kthejë Shqipërinë në një qendër të rëndësishme mesdhetare, duke ndjekur modelin e vendeve të tjera të rajonit si Kroacia, Mali i Zi dhe Greqia.

“Shqipëria merr pjesë për herë të parë pasi për herë të parë pasi kemi nisur dizenjimin e një strategjie për zhvillimin e marinave nga veriu në jug. Kjo do e kthejë Shqipërinë në një hap në zemër të Mesdheut ashtu siç kanë bërë fqinjët tanë, Kroacia, Mali i Zi, apo Greqia.

Plani për ndërtimin e një porti të ri komercial në zemër të Porto Romanos, apo ndërtimi i portit të ri në Triport i ka dhënë një hov të ri industrisë së marinave. Marina e Durrësit dhe ajo e Vlorës shumë shpejt do nisin operacionet e tyre. Shqipëria duhet të jetë në të njëjtin hap me vendet e tjera evropiane, ku konferenca e sotme në Monaco ka shërbyer për lidhje shumë të mira”, tha Balluku.

Në këtë konferencë, Shqipëria ka shfrytëzuar mundësinë për të diskutuar me investitorë të huaj nga e gjithë bota, të cilët kanë shfaqur interes për industrinë detare në vend.

“Pata rastin që të diskutojë me shumë investitorë të huaj nga e gjithë bota që janë të interesuar për industrinë detare në Shqipëri. E gjithë kjo punë do e kthej vendin në një hap Mesdhetar të një industrie të truizmit, që është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë, duhet të ketë sa më shumë inovacion që të krijojë qëndrueshmëri në dekadat e ardhshme”, tha Balluku.

Ndërtimi i marinave si pjesë e strategjisë së zhvillimit të industrisë së turizmit është pjesë e planit të qeverisë “Rama 4”, ku parashikohet se për 4 vitet e ardhshme të ndërtohet i Portit të Ri Tregtar në Porto Romano, si dhe zhvillimi i marinave turistike në qytetet e Sarandës, Vlorës dhe Kepin e Rodonit.

Shqipëria synon që të arrijë standarde të larta ndërkombëtare për marinën, duke integruar teknologjitë më të fundit dhe praktikat më të mira për një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori. Kjo, tha Balluku, do të “sjellë nevojën e trajnimit të atyre të rinjve që do të bëhen pjesë e kësaj industrie”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›