E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Tema e Ditës”, Salianji: Berisha nuk mund të ikë, por PD duhet ripërtërirë! Nuk mund të biem në kurthet që ngre Rama

Partia Demokratike ka nevojë të ripërtërihet, theksoi të hënën ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, dhe kryetari Sali Berisha duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për ta realizuar si proces.

Në një intervistë me gazetarin Arbër Hitaj për rubrikën “Tema e Ditës” në RTSH 1 HD, z. Salianji tregoi se aksionet e fundit opozitare po provojnë se kampi i tij ende vazhdon të luftojë politikisht në kushte jo të mira. Ai tha se kolegët e tij po bien vazhdimisht në kurthet e kryeministrit Edi Rama, siç ndodhi, sipas tij, edhe në seancën plenare të javës së kaluar për votëbesimin e qeverisë.

“Qeveria apo Edi Rama, që e drejton qeverinë, kishte arsyet e veta për të mos e lejuar debatin, për shkak se mbas tri mandateve qeverisje katastrofike, Edi Rama nuk ka më çfarë t’u thotë shqiptarëve. E gjithë narrativa e tij e tanishme është shpikja e elementeve që nuk sjellin asnjë gjë pozitive për qytetarët, si ‘Diella’, për shembull. Mendoj, pa diskutim, që edhe kolegët e mi dhe opozita duhet ta menaxhonin më mirë. Duhet bërë gjithçka na takon neve si opozitë, dhe grupit parlamentar, që të menaxhojmë çdo kurth. Pra, nuk mund të biem në çdo kurth që ngre Rama. Sepse është e qartë që ne, qytetarëve shqiptarë sot nuk ka nevojë t’ua përsërisim në mënyrë të përditshme që Edi Rama bën këtë, bën atë. Ne jemi në një regjim dhe në kushtet e një regjimi duhet të përpiqesh të luftosh dhe të marrësh hapësirat si në një regjim,” u shpreh z. Salianji.

Ish-deputeti me dy mandate ligjvënësi mbi supe mbetet një opozitar i prerë, siç qëndroi edhe deri në ditën kur fitoi lirinë rreth tre muaj më parë, pas një dënimi për motive politike, siç do të deklaronte ai më 8 korrik. Për të, rrugët e PD-së përballë qeverisë duhet të jenë po ashtu të qarta: ose radikale, ose e moderuar, por bashkimi rreth kauzës duhet të jetë primarja.

“Nuk ka një diferencë, sepse ende nuk ka një aksion ndryshe. Ajo që kam thënë unë që ditën e parë të mbledhjes së Kryesisë. në kushtet kur opinioni opozitar, opozita dhe Partia Demokratike ka një qëndrim që është farsë zgjedhore dhe zgjedhjet janë vjedhur, atëherë duhet t’i drejtohemi popullit dhe të dalim në shesh. Pra, duhet të kishim protestë paralelisht me parlamentin. Kjo qasje duhej të ishte patjetër. Opozita nuk duhet të jetë më njëdimensionale. Partia Demokratike duhet të nisë të gjitha përmirësimet e veta. Pas një beteje e cila u fitua apo u mor me hile, me vjedhje, me farsë, me intimidime, sido që të jetë, Partisë Demokratike i kanë lënë plagë. Partia Demokratike duhet të merret me shërimin e plagëve të veta nga kjo betejë elektorale, me ripërtëritjen e saj. Duhet të krijojë korsitë e duhura për hapjen drejt njerëzve që vijnë nga profesione të ndryshme, duhet të dijë të vlerësojë në mënyrën e duhur kontributet reale në PD, pa përjashtuar askënd. Është koha që në Partinë Demokratike të bashkohen të gjithë, por duke u bashkuar të gjithë të krijojnë mundësi që të ketë garë apo mundësi për personat e tjerë, sepse personalitetet e reja që vijnë në parti duhet t’u krijohet mundësia që të shpërfaqin veten e tyre dhe pastaj të hyjnë në garat e brendshme. Partia Demokratike duhet ta ndajë mendjen në mendimin tim, ose duhet të ndjekë rrugën radikale, ose të ndjekë rrugën më të moderuar. por sido që të jetë e ka të pashmangshme në këndvështrimin tim, bashkimin e çdo kontributi dhe më pas hapjen duke e quajtur, me një term më të butë, ripërtëritje të Parisë Demokratike,” deklaroi z. Salianji.

Kryedemokrati Berisha konsiderohet një figurë emblematike e partisë që ai e ka drejtuar në vazhdimësi disa herë prej vitit 1990. Edhe z. Salianji e sheh atë si një simbol përbashkues për shkak të historisë së partisë, por edhe historisë së vetë z. Berisha.

“Në çdo moment, në çdo rrethanë, Sali Berisha ka për të qenë një prej simboleve që e mban atë parti të bashkuar. Kështu që në këtë kuptim diskutimi nuk është çfarë do të bëhet me Sali Berishën, çfarë do të bëhet me Partinë Demokratike, duke përfshirë dhe duke qenë përbashkues ndaj të gjitha kontributeve, gjithë sakrificave dhe gjithë elementeve të tjera. Unë besoj që Sali Berisha do të dijë që të bëjë lëvizjet e duhura për ta zmadhuar dhe rifuziquar Partinë Demokratike, duke e ripërtërirë. Unë jam i bindur që pa Sali Berishën është një zgjidhje e dëmshme për Partinë Demokratike, prandaj i takon Sali Berishës, si simbol, por edhe si kryetar i Partisë Demokratike për të bërë përpjekjet dhe hapjet për ripërtëritje, që unë mendoj se duhen bërë me hapa të shpejtë pa pasur asnjë vonesë,” tha ish-deputeti demokrat.

Salianji ka mbajtur pozita të larta drejtuese në PD, dhe siç u shpreh ai, ka arritur të fitojë disa beteja me votë popullore. Ambicia e tij nuk duket se është kreu i partisë deri në këtë moment.

“Unë nuk e kam të domosdoshme një funksion për shkak se në opozitë funksionin ta jep performanca, aktivizimi, beteja. Pra, nuk është si në qeveri që merr një ministri dhe të duhet për të ndjekur sektorin. Në opozitë e ke autostradën e hapur. Mjafton të ecësh. Kështu që nuk e kam shqetësim një pozicion. Nuk kam një kompleks për të kandiduar për poste të larta. Nuk jemi sot në kushtet për të diskutuar për ketë,” deklaroi ai.

Përgjatë dy viteve të ardhshme, gara politike do të zhvendoset te pushteti vendor, ku shumica qeverisëse synon të mbajë numrin masiv të bashkive nga zgjedhjet e kaluara. Për Tiranën, kryeqendrën e vendit, socialistët kanë propozuar ish-ministren e disa dikastereve, Ogerta Manastirliu. Demokratët ende nuk e kanë përcaktuar me cilën figurë do ta sfidojnë atë.

“Unë mendoj që Partia Demokratike dhe opozita kanë një oportunitet shumë të madh me Bashkinë e Tiranës, duke qenë se ish-kryetari i bashkisë është arrestuar, duke qenë se ka pasur pakënaqësi masive me administrimin e qytetit në këtë periudhë, duke pasur parasysh që kandidatja e propozuar nga Partia Socialiste është një kandidate e dobët në të gjitha pikëpamjet, qoftë me bilancin që ka në Ministrinë e Shëndetësisë apo Ministrinë e Arsimit, qoftë edhe në performancën publike në raport me publikun dhe gjithë aktorët e shoqërisë dhe partisë. Unë besoj që Partia Demokratike do të duhet dhe do të jetë e aftë për të nxjerrë kandidatin më të mirë për të pasur përballje me Manastirliun në Tiranë dhe për ta fituar,” u shpreh z. Salianji.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›