Shqipëria, “shtëpia e dytë” e studentit italian Michele Arbore: Faleminderit nga thellësia e zemrës! Më keni pritur si djalin juaj

Natyra, kultura dhe mikpritja e njerëzve e kthejnë Shqipërinë në shtëpinë e dytë për disa të huaj.
Michele Arbore, një student i cili jeton prej tetë vitesh në Tiranë, është njëri prej atyre të joshur thellësisht nga vendi. Ai është kthyer edhe në një guidë turistike për miqtë e tij italianë.
“Jam italiani i parë që kam vizituar gjithë Shqipërinë nga veriu deri në jug, nga Vermoshi deri në Butrint, në fund fare. Vendi im i parë ka qenë Syri i Sheganit,” tregoi i riu në një intervistë për “Në kohë reale” në RTSH 1 HD.
I riu, me profesion stomatolog, tha se ndihet përzemërsisht falënderues ndaj njerëzve që ka takuar kudo ku ka shkelur.
“Doja të falënderoja të gjitha njerëzit shqiptarë nga veriu deri në jug, nga thellësia e zemrës sime, sepse më kanë pritur si të isha djali i tyre. Unë e dua shumë Shqipërinë. E kam në zemër! Më pëlqen shumë historia shqiptare, kultura shqiptare,” tha ai.
Michele e quan veten një italian puro, por historia shqiptare e tërheq jashtëzakonisht. Në vendet që ka vizituar, ai ka fituar edhe dialektet e zonave, përveçse njohuri mbi traditat dhe kulinarinë përkatëse.
“Kam mësuar edhe pak dialekt shqiptar. Për shembull, në Kukës nuk ka ‘si je o vëlla’. Kemi ‘si je, o bishë’. Ose në Shkodër e keni ‘nadja e mirë’, ose në Elbasan nuk keni ‘si je, o vëlla’, por ‘si je, o lale’,” u shpreh i riu me të qeshur, ndërsa shtoi diçka edhe për gatimet: “Kam provuar flinë nga Puka, jufkën me pulë nga Dibra, që më pëlqen shumë; shëndetlien e Linit dhe gliko arre nga Përmeti.“
Për Michele-n, ndër gjithë qytetet shqiptare, Gjirokastra i ka mbetur në zemër. “Edhe Berati është shumë i bukur,” tha ai.
/rtsh.al/